Theu rekordin e Ibrës, Aleksis Salmakers: Champions-i unik, sivjet Milani synon trofe të tjerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 0:04

Theu rekordin e Ibrës, Aleksis Salmakers: Champions-i unik, sivjet Milani synon trofe të tjerë

Dy gola radhazi në Champions për Milanin nuk shënoheshin që prej sezonit 2010-‘11 dhe në atë rast ia dilte Zlatan Ibrahimoviçi.

SALMAKERS

Emrin në statistikat kuqezi, së fundmi, e ka futur Aleksi Salmakers që ka shënuar në dy ndeshjet e para të grupit, ndërkohë që vjet nuk la gjurmë në 6 prezenca. I zgjedhur si lojtari më i mirë i ndeshjes ndaj Dinamos së Zagrebit, belgu ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit.

Dy ndeshje dhe po aq gola. Jo keq si fillim sezoni?

Kam kohë që punoj për t’u përmirësuar. Sigurisht më vjen mirë për golin, por akoma më shumë për suksesin e skuadrës në një ndeshje delikate. Të mos harrojmë se ishin tri pikët e para në shtëpi pas 9 vitesh e jam i lumtur që dhashë kontributin tim.

Po punoni për fazën realizuese?

Mundohem të jem më i pranishëm në manovër dhe të sulmoj më tepër zonën e rreptësisë. E provova edhe këtë herë dhe ia dola.

Mendoni se luajtët në të njëjtin nivel që paraqiteni në Itali?

Ky është niveli ynë dhe ritmi qe kemi zakonisht. Mendësia ishte gjithashtu e duhura. Përpara kemi një tjetër sfidë, ndaj le të përqendrohemi tek ajo.

Si është intensiteti i ndeshjeve të Champions-it?

Ndryshime ka, por mendoj se ne jemi rritur pas përvojës së vitit të kaluar. Deri një vit më parë shumica prej nesh nuk kishin luajtur kurrë në Europë, ndërsa tani jemi më të qetë dhe besoj se u dallua. Edhe ndaj Salcburgut treguam qetësi pasi u gjendëm në disavantazh dhe vazhduam të prodhojmë lojë. Në Champions nuk fitohen lehtë pikët.

ALEKSIS SALMAKERS

Po, por nga Austria u kthyet optimistë…

Sigurisht sepse u përballëm me një rival të vështirë. Ndoshta rezultati nuk ishte optimali, megjithatë ndonjëherë gota duhet parë gjysmë e mbushur.

Ndaj Çelsit çfarë prisni?

Do të kemi përballë një skuadër të madhe, por do ta përballim me respektin që kemi bërë ndaj kujtdo. Për ne nuk ndryshon asgjë. Nëse luajmë siç dimë mund të arrijmë gjëra të bukura.

Çfarë përshtypjesh ju kanë lënë të ardhurit nga merkatoja?

Dy prej tyre i kam shokë në kombëtare, por u sigurova që të gjithë të ndiheshin si në shtëpi. Te Milani jemi si familje dhe askush nuk duhet të merakoset për asgjë. Janë lojtarë me cilësi e me siguri që do të na ndihmojnë për të fituar ndeshje e ndoshta një tjetër trofe.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"