Teuta në krizë, Qirko: Ka presion, por s’shoh rrugë tjetër veç fitores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2023 | 15:15

Teuta në krizë, Qirko: Ka presion, por s’shoh rrugë tjetër veç fitores

Teuta luan të shtunën një ndeshje tepër të rëndësishme. “Djemtë e detit” do të presin në stadiumin “Niko Dovana” Kastriotin, në kuadër të javës se 16-të të Superiores. Pavarësisht se blutë kanë humbur përballjen e fundit në Shkodër, morali është i lartë, kjo për shkak edhe të pauzës që pësoi kampionati.

qirko

Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri i Teutës, Pano Qirko, thekson se do të tentojnë fitoren sepse nuk kanë se çfarë të humbasin, por gjithashtu vlerëson në maksimum edhe forcën që ka kundërshtari.

Si është gjendja e skuadrës në prag të duelit me Kastriotin?
Grupi është optimal, të gjithë janë të gatshëm. Mendoj se jemi në gjendje të mirë si nga ana psikologjike dhe nga ajo fizike, pasi këtë periudhë kemi bërë përgatitje të mjaftueshme. Sigurisht që gjendja e skuadrës është pozitive, po ashtu edhe fryma e grupit. Kundërshtari mund të them se është i fortë, por ne jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe shpresojmë që të bëjmë më të mirën.

Synimi janë tri pikët apo Teuta do të kënaqej edhe me një barazim?
Kastrioti është një ekip i fortë fizikisht. Besoj se janë një skuadër e mirë, por ne do të tentojmë tri pikët, sepse nuk kemi se çfarë të humbasim. Ne do përpiqemi që ta fitojmë ndeshjen, por duke pasur parasysh që të mos pësojmë gol. E kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën e duhur dhe kemi parë pikat e forta të kundërshtarit, të cilin e njohim mirë, sepse e kemi parë e studiuar edhe përmes videove në ndeshjen e fundit që ata kanë luajtur.

A ka presion ekipi para kësaj ndeshjeje?
Për pozitat ku ndodhemi, e kemi detyrim që të fitojmë. Rezultat tjetër nuk mendoj. Do të tentojmë më të mirën, besimi nuk mungon nga të gjithë shokët e ekipit dhe shpresoj që ta arrijmë. Presion patjetër që ka te çdo skuadër, edhe ne kemi presion, do të thosha pozitiv, që të kalojmë këtë ndeshje.

Në këtë situatë, cili është objektivi i Teutës?
Të gjithë dëshirojmë që të bëjmë më mirë se viti i kaluar, ku zhvilluam një kampionat, i cili ishte deri diku pozitiv. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë të mundur daljen nga kjo situatë.

Po në aspektin individual, çfarë synimesh keni?
Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me Teutën, që klubi të arrijë synimet e veta në fund të sezonit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"