“Teuta është më e re dhe me më shumë dëshirë”, mbrojtësi i durrsakëve: Ndaj Partizanit, si provë gjenerale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2022 | 17:40

“Teuta është më e re dhe me më shumë dëshirë”, mbrojtësi i durrsakëve: Ndaj Partizanit, si provë gjenerale

Teuta ka zhvilluar dje stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes miqësore me Partizanin, e cila do të luhet sot në stadiumin “Niko Dovana” në orën 17:30. Ekipi është i plotë dhe gjendja është optimale. Harallamb Qaqi, një nga lojtarët kryesorë në gjirin e skuadrës durrsake, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” para ndeshjes së fundit miqësore të kësaj vere. Qaqi flet për gjendjen e skuadrës, por kujdeset të mos zbardhë objektiva konkretë për atë që Teuta kërkon në sezonin e ri.

qaqi

Si është gjendja fizike e skuadrës?

Jemi të kënaqur deri më tani me stërvitjen, sot do të zbresim në fushë dhe do të përgatisim sfidën ndaj Partizanit. Duhet dhe pak më shumë së një javë nga ndeshja e parë në kampionat ndaj Laçit, por mendoj se do të kemi formë të mirë për të luajtur. Ashtu si unë, edhe shokët e tjerë duken gati, pasi kemi punuar mirë dhe fatmirësisht nuk kemi pasur dëmtime.

Si e shikon ekipin këtë sezon?

Sivjet kemi disa të rinj në grup, të cilët kanë shfaqur dëshirë për të treguar sesa vlejnë, ndërsa ne që kemi më shumë eksperiencë duam të përmirësohemi edhe më tej.

Miqësorja ndaj Partizanit është e fundit para startit të sezonit, si e shihni?

Kjo miqësore është një provë gjenerale para ndeshjes ndaj Laçit, por dhe një ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e Superiores jemi të bindur se do të jemi gati.

Me çfarë synimi nis ky kampionat?

Duam ta vazhdojmë aty ku e lamë fazën e fundit të një sezoni më parë. Parashikojë një kampionat të bukur dhe të ekuilibruar, pasi disa rivalë janë përforcuar, ndërsa të tjerë dëshirojnë të konfirmohen. Të gjithë mezi presim të nisë sezoni.

Cilët janë objektivat e Teutës sivjet?

Të gjithë dëshirojmë të bëjmë më mirë sesa viti i kaluar, kur zhvilluam një kampionat larg pritshëmrive tona. Kemi besim në mundësitë tona dhe jemi të vetëdijshëm se mund të bëjmë gjëra më të mira se viti i kaluar.

Çfarë synimesh keni në aspektin personal me Teutën?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës, që klubi ta arrijë synimet e tij.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"