Teuta duhet riformatuar, mbrojtja dhe mesfusha për t’u ribërë/ Sulmi reparti i vetëm që premton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 22:42

Teuta duhet riformatuar, mbrojtja dhe mesfusha për t’u ribërë/ Sulmi reparti i vetëm që premton

Teuta është në prag të një riformatimi të thellë. Durrsakët nuk mundën të kualifikoheshin në Kupat e Europës dhe kjo u ka dhënë kohë të pushojnë e mendohen përpara se të nisin një ofensivë për krijimin e skuadrës së sezonit të ri.

Arapi festa Teuta

Deri më tani, durrsakëve u është bashkuar vetëm Uheid Hoxha, teksa janë larguar emra si Avdyli, Todorovski, Hyka apo Aleksi, që mbanin jo pak peshë në lojën e durrsakëve në sezonin e shkuar. Drejtuesit janë në bisedime me disa lojtarë në reparte të ndryshme, por ende në fazë vëzhgimi dhe tratativash.

MBROJTJA

Drejtuesit nuk e kanë me të shpejtë, por me siguri janë të qartë se në merkato ka shumë punë për t’u bërë, pasi ka reparte që duhen ndërtuar nga e para. Një prej tyre është pikërisht mbrojtja, që në sezonin e shkuar ka qenë pa dyshim pika më e dobët e skuadrës.

Largimi i Hoxhës e Arapit në verën e shkuar e la Teutën zbuluar për një sezon të tërë dhe tani nuk duhen bërë gabimet e një viti më parë, kështu që po punohet për të sjellë mbrojtës me eksperiencë dhe të aftë të marrin përgjegjësi në skuadër. Në përzgjedhjen e lojtarëve një peshë të madhe do ta ketë edhe mendimi i trajnerit Renato Arapi.

Nëse në krahët e difensivës luajnë emra si Kotobelli apo Idrizaj, që janë lojtarë me mjaft eksperiencë, në qendër Jazxhi dhe Qaqi nuk shihen në nivelin për të përballuar një sezon të gjatë plot peripeci e sfida vendimtare. Nga ana tjetër, Qirko në portë i ka dhënë provat dhe pritet që edhe në sezonin e ardhshëm të jetë mes katërkëndëshit.

MESFUSHA

Në mesfushë, Emiljano Vila pritet të jetë sërish lideri, por pas largimit të emrave si Avdyli, Aleksi apo Akuah, mesfusha ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.

Ky repart është ai që pësoi largimet më të mëdha pas fundit të sezonit dhe automatikisht do të kërkojë përforcime, me qëllim mbulimin e boshllëqeve, që kanë lënë veçanërisht Aleksi e Akuah, që ishin titullarë të padiskutueshëm. Deri më tani nga zyrat e drejtuesve nuk ka dalë asnjë emër i dëshiruar për t’u transferuar në Durrës për këtë repart, por në javët në vijim pritet që lojtarë të ndryshëm të afrohen e të nisin përgatitjet me bregdetarët.

SULMI

Ofensiva mund të quhet reparti më i kompletuar në skuadrën aktuale, pa nisur afrimet e para. Lorenco Vila, Kapllani dhe Gruda shihen si e tashmja dhe e ardhmja e skuadrës dhe pritet të fitojnë minuta rregullisht në sezonin e ri, teksa Hebaj ka konfirmuar qëndrimin në Durrës dhe do të marrë frerët e këtij reparti.

Ndërkohë, përgatitjet për sezonin e ri pritet të nisin në javën e ardhshme. Ka të ngjarë që nisja e muajit korrik të jetë shumë intensive për sa u përket afrimeve, sepse Arapi kërkon të këtë një skuadër të plotë në fazën përgatitore, për të cilën ende nuk është përcaktuar vendi i zhvillimit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"