Teuta do vazhdimësinë, por edhe një pikë bën punë në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 18:29

Teuta do vazhdimësinë, por edhe një pikë bën punë në Shkodër

Teuta kërkon vazhdimësinë. Pretendimet në Durrës janë që ekipi të dalë nga zona e ftohtë dhe për t’u arritur kjo, duhet një tjetër rezultat pozitiv në Shkodër pas asaj fitoreje të pastër ndaj Skënderbeut në “Niko Dovana”.

teuta

Skuadra e Edi Martinit do të luajë përballjen e radhës me Vllazninë në transfertë dhe trajneri është optimist për sulmin, që ka bindur në ndeshjet ne fundit. Në tri javët e fundit, durrsakët kanë arritur të grumbullojnë 5 pikë, çka ju ka dhënë parakalimin ndaj Kukësit, që tashmë e sheh veten në fund të renditjes.

DËMTIMET

Erando Karabeci është i dëmtuar i parë i këtij viti në radhët e Teutës. Mesfushori i qendrës ka shqetësime në mes. Etapat e rikuperimit kanë qenë të gjata dhe ai pritet që të rikthehet në ekip në mesin e këtij muaji dhe të jetë gati për Martinin. Ndërkohë, Ledio Beqja pothuajse e ka kaluar shqetësimin në kofshë. Kështu duke lënë pas problemet, mesfushori është bashkuar dje me ekipin në stërvitje, por gjithsesi do të mbahet në vëzhgim nga stafi mjekësor deri të premten dhe më pas do të vendoset nëse do të luajë apo jo.

PËRGATITJET

Teuta ka përpara një sfidë të vështirë në Shkodër, kjo nisur edhe nga fakti se kuqeblutë e trajnerit Osmani nuk humbasin prej 8 ndeshjes, kështu që për bregdetarët i pëlqyeshëm do të ishte edhe një pikë. Ndërkohë dje, ekipi ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore, duke vijuar me përgatitjet anti-Vllazni. Skuadra ka punuar më së shumti me topin, ndërsa Martini e ka ndarë ekipi në dy grupe. Ra në sy loja disi e fortë mes lojtarëve, ku një pjesë e mirë e futbollistëve kërkojnë edhe një vend titullari.

Z.QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"