Të kuqtë e Partizanit shërohen nga sidroma “Skuka”, tani shënojnë të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2023 | 20:09

Të kuqtë e Partizanit shërohen nga sidroma “Skuka”, tani shënojnë të gjithë

Me largimin e Xhuliano Skukës, trajnerit Kolela i lindi detyra e vështirë për të siguruar golat. Dibrani në gjithë pjesën e parë kishte bërë një repart më vete, duke shënuar më shumë se gjysmën e golave dhe qenë vendimtar në shumë ndeshje.

Partizani

Pa të Partizani do të ishte shumë më poshtë në renditje. Të largohej Skuka ishte njësoj si t’i largohej një skuadre të madhe ylli kryesor i ekipit. Drejtuesit u munduan ta zëvendësonin, duke sjellë në skuadër lojtarë si Selmani dhe Mba.

Nga ana tjetër, sulmuesit që ishin pjesë e ekipit iu desh të zgjoheshin me Kolelën, që tashmë i përqendroi skemat për të nxjerrë zbuluar çdo lojtar që e njeh portën dhe jo domosdoshmërish sulmuesin kryesor. Pas vuajtjesh në fillim, Partizani u kthye të fitonte dhe nisi të shënonte. Por këtë herë ka një ndryshim, golat shpërndahen dhe shënojnë të gjithë.

Kanë kaluar 10 javë kampionat që kur Skuka u transferua te Metzi dhe në këto sfida Partizani ka arritur të shënojë 15 gola, që janë shpërndarë në plot 8 autorë. Kjo tregon se te Partizani, pas largimit të Skukës, janë çliruar të gjithë dhe pak nga pak kanë zëvendësuar largimin e goleadorit të skuadrës. Gjatë këtyre 10 ndeshjeve golashënuesit më të mirë janë Da Silva, Mba dhe Hoti, që kanë tundur rrjetën nga 3 herë. Lojtarë të tjerë që kanë gjetur rrugën e rrjetës janë Mensah, Rrapaj, Matondo dhe Selmani.

shenuesit

Fakti që tashmë shënojnë të gjithë mund të konsiderohet edhe si një armë më shumë për Partizanin, pasi tashmë nuk ka një pikë referimi dhe kundërshtarët nuk mund të përqendrohen në vetëm te një element për të kapur mat skuadrën e Kolelës. Ndërkohë, edhe në mbrojtje duket se është gjetur stabiliteti pas largimit të Bitrit në verë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"