Te Kastrioti të dorëzuar, Devolli grumbullon edhe nga të rinjtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2019 | 10:06

Te Kastrioti të dorëzuar, Devolli grumbullon edhe nga të rinjtë

Me një seancë të zhvilluar gjatë pasdites, Kastrioti u ka dhënë fund përgatitjeve anti-Kukës. Dhe duhet thënë që edhe seanca ishte tejet pezmatuese, pasi u përqendrua vetëm te kuadratet dhe disa minuta lojë. Përballja me Kukësin mund të ishte e rëndësishme nëse Tirana nuk do të kishte fituar në Laç, por tashmë krutanët duken më shumë se të dorëzuar.

kastrioti

Aq sa kanë menduar që 90-minutëshin kundër verilindorëve t’ua kushtojnë të rinjve. Mësohet se do të jetë një mundësi e mirë për t’u dhënë minuta lojtarëve premtues dhe Bledar Devolli ka vendosur që t’i marrë të gjithë në Kamzë për takimin e sotëm. Ky vendim i teknikut tregon në njëfarë mënyre se krutanët nuk kanë më shpresa, ndonëse matematika i lejon. Një humbje e Tiranës me Flamurtarin sot dhe një trepikësh i Kastriotit ndaj Kukësit përkthehen me mbijetesë. Gazeta tentoi të merrte një prononcim në prag të kësaj përballjeje, por si trajneri edhe lojtarët nuk preferuan të flisnin.

564

FORMACIONI – Siç u theksua më lart, në fundin e këtij rrugëtimi në Kategorinë Superiore, stafi teknik grumbulloi të gjithë lojtarët e rinj, përfshirë edhe dy nga Kastrioti U-19. Ky fakt krijon edhe paqartësi të mëdha për 11-shen që mund të zbresë në fushë. Megjithatë, gjasat janë që të jetë një formacion me lojtarët që kanë marrë pak minuta gjatë sezonit, kombinuar sigurisht edhe me ndonjë titullar.

TIFOZËRIA – Ndonëse luhet në stadiumin “Kamza”, një fushë në një distancë jo shumë të largët nga Kruja apo Fushë-Kruja, pritet pak interes nga tifozët. Edhe sportdashësit krutanë duket se janë të të njëjtit mendim me stafin dhe lojtarët, duke treguar se edhe ata nuk kanë më besim se skuadra do të arrijë të qëndrojë.

LARGIMET – Dhe për t’i vendosur “vulën” dorëzimit para se të shkojnë drejt finishit të Kastriotit, janë larguar futbollistët. Deri më tani, edhe pse ende nuk ka përfunduar sezoni, nga krutanët kanë ikur tre lojtarë. Dhe nuk do të jenë të vetmit, pasi do të pasohen nga të tjerë. Emrat sigurisht që do të zbardhen fill pasi të jepen verdiktet e këtij kampionati, pasi në varësi të mbijetesës ose jo, do të riorganizohet edhe ekipi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"