Te Kastrioti, ironi me Tiranën: Ju kthye buzëqeshja, s’ka më ndeshje në tavolina?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2019 | 12:33

Te Kastrioti, ironi me Tiranën: Ju kthye buzëqeshja, s’ka më ndeshje në tavolina?

Te Kastrioti nuk gjejnë qetësi. Skuadra krutane nuk arriti që t’i shpëtonte rënies në Kategorinë e Parë, ndërsa luftoi deri në javën e fundit. Tashmë, krutanët nuk po përmbahen më dhe kanë nisur të lëshojnë akuza në adresë të Tiranës, rivali direkt i Kastriotit në luftën për mbijetesë.

gezim rama

AKUZAT

Kryeredaktori i “RTSH Sport”, Saimir Demi, ka postuar dje në profilin e tij në “Facebook” disa foto së bashku me trajnerin e Tiranës, Ardian Mema. Dhe një prej atyre që ka komentuar është zv.trajneri i Kastriotit, Gëzim Rama, i cili ka shkruar: “Shyqyr që ju kthye buzëqeshja. A nuk ka më tavolina që zgjidhin ndeshjet??? Laçi dhe Flamurtari, fitore të merituara??? Aman se jeni për gjynah…”, shkruan Rama në komentin e tij. Duket se në Krujë janë të bindur se Tirana ka arritur të mbijetojë falë takimeve që janë zgjidhur në tavolinë, me tolerim nga Laçi dhe Flamurtari.

Capture

SKUADRA

Rënia në të Parën nuk është se është pritur mirë nga tifozëria krutane, mirëpo drejtuesit premtojnë rikthimin e menjëhershëm të skuadrës në Superiore, kjo pasi pjesa më e madhe e grupit do të ruhet, si edhe do të bëhen përforcimet e duhura në mënyrë që ngjitja në elitë të ndodhë sa më shpejt.

Krutanët kanë një avantazh në këtë pjesë, duke qenë se ajo që është kryesorja, kanë financa të shëndosha, të cilave do t’u shtohet edhe bonusi i shitjes së disa prej lojtarëve kryesorë, për të cilët interesi është i madh nga shumë ekipe, qoftë në Superiore, por jo vetëm. Dy prej lojtarëve më të kërkuar janë aktualisht pjesë e Kombëtares U21, Julian Shehu dhe Patrik Bardhi, të dy kanë bërë një sezon të shkëlqyer dhe pritet që këtë verë të shiten. Nuk mbeten prapa edhe Herald Marku, Lukman Husein, Bojom apo dhe Okebugu. Për të gjithë këta ka kërkesa nga klubet kryesore në vend, megjithatë mbetet të shihet si do veprohet nga krutanët.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"