“Të gjithë kishim vënë në diskutim punën tonë”, Çela: Emocionet janë të dëmshme, tani dua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 23:58

“Të gjithë kishim vënë në diskutim punën tonë”, Çela: Emocionet janë të dëmshme, tani dua…

Emiljano Çelën e qetë soi fitorja me Vorën. Mjaftohet patjetër me trepikëshin, por mendon se skuadra e tij ka potencial për të bërë më shumë. Trajneri i priste të paktën edhe dy gola në ndeshjen e së dielës.

Cela

Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, nuk i mohon disa defekte dhe as faktin që të gjithë kishin vënë në diskutim punën.

“Jam shumë i kënaqur nga fitorja dhe paraqitja e skuadrës kundër Vorës. Por duhet që të bëjmë më shumë se kaq. Në këtë ndeshje i kishim të gjitha mundësitë për të bërë më shumë, kishim shumë raste.

Duhet që të kishim shënuar më shumë gola. Por, gjithsesi ajo që na duhej më shumë në këtë takim ishin pikët. Ato na mungonin shumë në tri javët e para. Kemi qenë të ngarkuar emocionalisht dhe dozat emocionale janë të dëmshme. E zgjidhën siç duhet ndeshjen, ndonëse ishim në superioritet numerik… E kontrolluam lojën, kishin qarkullim dhe raste të shumta.

Kjo gjë më ngroh shumë me këtë ekip. Nëse vijojmë me këtë ritëm, i kemi mundësitë për të bërë gjithçka”, shprehet fillimisht memalioti i stolit të kuqezinjve, që i mëshon shumë anës emocionale.

BESIMI

Është i sigurt që ky grup funksionon dhe ka besim të plotë te çdo lojtar që stërvit. Ekipi e dëgjon dhe i përgjigjet dhe kjo gjë i shton më shumë optimizmin për vazhdimësinë. “Kjo ndeshje dhe ky rezultat kishin shumë rëndësi për ne dhe vazhdimësinë tonë. Ky ekip dhe ky grup duhet të binden që funksionojnë. Në radhë të parë duhet të fiksojnë në kokën e tyre se sa vlejnë. Dhe unë them që vlejnë.

Unë dhe stafi im, pastaj jemi të sigurt për këtë. Në fund të fundit i stërvitim çdo ditë dhe e shohim se çfarë dinë të bëjnë. E di çfarë është pozitive në këtë mes, mënyra se si ata shfaqen në çdo seancë. Jo vetëm që pranojnë ngarkesat që u jap dhe punojnë me angazhim maksimal, por edhe më ndjekin dhe dëgjojnë në gjithçka them.

Unë jam i sigurt që ky ekip mund të funksionojë. Por nuk mund ta fsheh që ishte një moment, kur të gjithë e kishim vënë në diskutim punën tonë. Besimi i lojtarëve nuk ishte nga më të lartët. Megjithatë, doza e besimit na u shtua këtë të diel. Loja që zhvilluam, fitorja dhe pikët që morëm ndaj Vorës na qetësuan. Kjo gjë na gëzon dhe ngroh shumë”, shtoi 38-vjeçari.

VAZHDIMËSIA

Çela mundohet që të ndalë euforinë dhe kujton se nuk ka vend për të festuar gjatë, pasi vetëm të enjten i pret një tjetër javë e vështirë. E paralajmëron “malore” transfertën me Lushnjën, e cila vjen pas asaj fitoreje në Burrel. “Nga ky moment duhet të kthehemi me ‘këmbë në tokë’. Festa e fitores mbaron këtu. Kampionati vazhdon dhe duhet thënë që kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Të enjten kemi një ndeshje shumë të rëndësishme për të luajtur.

Udhëtojmë jashtë fushës sonë dhe përballë do të kemi Lushnjën. Kundërshtari vjen me moral të lartë, pas asaj fitoreje që mori në Burrel. Në këto kushte, le të jemi të përulur dhe bëjmë hyzmetin kësaj sfide. Rrugën e kthesës e gjetëm, por tani duhet që të gjejmë edhe vazhdimësinë. Kështu që edhe me lushnjarët, duhet që të japim më të mirën tonë dhe marrim maksimumin”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"