Tavo hesht për turpin, Kostiç: Çmenduri të gjej alibi, 5-0 ishte aksident

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2018 | 22:29

Tavo hesht për turpin, Kostiç: Çmenduri të gjej alibi, 5-0 ishte aksident

Pjesëmarrja historike e Luftëtarit në Europë është shoqëruar me një humbje turpëruese në debutim, për vetë faktin se gjirokastritët kishin deklaruar më herët se Ventspilis është një kundërshtar i kalueshëm. “Panorama Sport” ka tentuar gjatë gjithë ditës së djeshme të merrte një mendim nga presidenti i Luftëtarit, Grigor Tavo, për shkaqet e disfatës në transfertën letoneze.

kostic tavo

Gjatë orëve të mbrëmjes është bërë e mundur lidhja përmes linjës telefonike, por presidenti Tavo nuk ka preferuar që të flasë për humbjen turpëruse në Letoni, me pretekstin se ishte rrugës duke u kthyer nga Selaniku. “Jam rrugës duke u kthyer nga Selaniku dhe jam i pamundur të fals edhe për faktin se jam i shoqëruar me njerëz. Kur të vij në Shqipëri, do të flasim”.

Kështu iu përgjigj presidenti Grigor Tavo interesimit të gazetës në lidhje me humbjen që ekipi pësoi në Letoni. Mbase presidenti bluzi ka preferuar të heshtë për momentin, duke mos u prononcuar për mediat pa zhvilluar analizën e humbjes me ekipin.

TRAJNERI KOSTIÇ

Trajneri slloven ka debutuar me një humbje turpëruese me Luftëtarin në ndeshje zyrtare. Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp, ai tregon arsyet e humbjes, por e quan budallallëk dhe çmenduri për të gjetur justifikim për rezultatin e pjesës së parë. Sipas trajnerit, ndikim te rezultati final pati edhe gjykimi dhe tani talenti bën për sezonin e ri në Superiore. “Do të ishte budallallëk dhe çmenduri të gjesh justifikim për atë që ndodhi në pjesën e parë.

Kostic

Nuk ishim në nivelin e duhur, mbase edhe nga dëshira e lojtarëve për të treguar veten. Bëmë disa gabime taktike, ku vetëm me tri gjuajtje direkte nga aksionet në portën tonë pësuam pesë gola. Ky është futbolli, ku ne nuk realizuam shanset tona në pjesën e parë. Në pjesën e dytë u munduam që të shënojmë, madje shënuam, por na e mohuan. Të gjithë ata që ishin në stadium e panë që topi ishte rrjetë, përveç gjyqtarit. Në pjesën e dytë lojtarët treguan se çfarë mund të bëjnë. Rezultati përfundimtar nuk tregon atë që ne dhamë në fushë si ekip. Është futboll, kështu që ne duhet të përgatitemi për ndeshjen e kthimit, si dhe për fillimin e sezonit të ri”, u shpreh Kostiç në fillim.

Milos-Kostic

GABIMET E GJYQTARËVE- “Disa nga vendimet e gjyqtarit nuk ishin logjike. Nuk mund të ankohem apo të sqaroj më shumë tani. Kjo është detyrë e vëzhguesit të UEFA-s, pasi unë jam këtu të stërvit lojtarët e skuadrës, në mënyrë që të mos përsëriten ato 20 minutat e para të ndeshjes, ku morën gola të lehtë që vendosën fatin e takimit”, vijoi më tej në konferencën për shtyp slloveni. SURPRIZË- “Nuk e konsideroj surprizë paraqitjen e kundërshtarit.

Lojtarët kanë pasur gjithë informacionin e duhur. Nuk mund të them se lojtarët nuk e morën seriozisht, por u surprizuan në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ata nuk e lanë kundërshtarin të luajë. Pra, treguam se dimë të luajmë edhe ndryshe nga pjesa e parë. Ky është një leksion i mirë për ne, ku atë pjesë të parë me Ventspilis nuk duhet ta përsërisim më”.

Luftetari

ZËVENDËSIMET- “Sa i përket formacionit, mund të them se në pjesën e parë nuk kishim problem me përzgjedhjen e njëmbëdhjetëshes, por me përqendrimin dhe moszbatimin e detyrave. Me zëvendësimet e kryera e ndryshuam disi ritmin, por Venstpilis me logjikë ishte më i tërhequr për të mbrojtur rezultatin e pjesës së parë. Pra, problemi nuk ka të bëjë me një përzgjedhje ndryshe të formacionit titullar, por me ndryshimin e sjelljes sonë në fushë, duke qenë më pranë topit. Problemi kishte të bënte me disiplinën taktike në disa pjesë të ndeshjes, e cila nuk ishte e duhura”.

luftetari 5-0

ORGANIZIMI I NDESHJES- “Fusha ishte në kushte shumë të mira dhe mikpritja ishte gjithashtu në nivelin e lartë. Ndaj, nuk kemi asnjë pakënaqësi. Shqipëria po zhvillohet shpejt dhe shpresoj që do ta arrijë shumë shpejt këtë nivel që gjetëm këtu. Stadiumet nuk janë në kushtet e këtushme dhe për këtë arsye, ne ndeshjen e kthimit e luajmë jashtë qytetit tonë. Nuk mund t’i ndryshojmë gjërat me shpejtësi, por shpresoj që në një të ardhme të afërt të jemi në të njëjtët nivele”, përfundoi trajneri i Luftëtarit në fund të konferencës për shtyp, pas humbjes 5-0 në Letoni.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"