“Tani që grupi është i plotë, tregojmë forcën tonë reale”, Resuli s’do më blofe: Koha e kthesës së madhe për Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2021 | 11:21

“Tani që grupi është i plotë, tregojmë forcën tonë reale”, Resuli s’do më blofe: Koha e kthesës së madhe për Flamurtarin

Flamurtari kërkon kthesën e madhe. Pas kualifikimit në Kupën e Shqipërisë, tashmë presin “shpërthimin” në kampionat. Dy barazimet e fundit nuk bëhen dramë, e megjithatë një i tretë është i ndaluar. Dritan Resuli nuk pajtohet me asnjë rezultat tjetër veç fitores, në ndeshjen që luhet të dielën në Vlorë.

Resuli

Me moral të lartë dhe grupin më të plotë, trajneri është më i qetë dhe besimplotë. Këtë e kupton edhe gjatë deklaratës që ka dhënë për “Panorama Sport”. “E kemi vlerësuar Përmetin. Kundërshtari ka vëmendjen tonë maksimale, pasi objektiv është vetëm fitorja. Nuk bëhemi pesimistë nga dy barazimet që kemi marrë deri tani. Çdo gjë do kohën e duhur derisa të konsolidohemi përfundimisht.

Kjo ka ardhur edhe për shkak të dëmtimeve që kemi pasur dhe tani i kemi lënë pas. Kemi pasur kohën e mjaftueshme në dispozicion. Ndërprerja e kampionatit për shkak të takimit të Kombëtares na ndihmoi. E dimë rëndësinë e këtij takimi dhe me këtë mision do të zbresim në fushë. Me seriozitet dhe vlerësim maksimal do të tregojmë që ne jemi Flamurtari dhe hyjmë në fushë vetëm për të fituar”, shprehet Resuli.

PROBLEMET – Terrenet e fushave të skuadrave të Kategorisë së Dytë përbëjnë problem për Flamurtarin e mësuar me “luks”. Edhe pse i shikon penalizuese, trajneri Dritan Resuli thotë se nuk ka asnjë justifikim dhe ekipi do të përshtatet. “Gjëja që na penalizon më shumë janë terrenet. Kjo gjë nuk është në interpretimin e lojës që ne bëjmë. Janë terrene të vështira dhe problematike në infrastrukturë, por ne do të përshtatemi dhe nuk ka asnjë justifikim për vazhdimësinë”, evidentoi numri një i pankinës vlonjate.

OBJEKTIVI – Për Flamurtarin objektivi mbetet i qartë. Skuadra kërkon ringjitjen dhe kjo nuk lë vend për diskutim. Trajneri thotë se misioni është që skuadra të shkojë ku e ka vendin. “Jemi të gjithë të angazhuar për ta çuar Flamurtarin ku e meriton dhe ku e ka vendin. Kjo skuadër ka elementë cilësorë që do të realizojnë misionin që u është ngarkuar”, përfundon Resuli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"