Takaj: Tifozët nuk duhet të jenë racistë, mundim serbët dhe do të shkruajmë historinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2017 | 18:01

Takaj: Tifozët nuk duhet të jenë racistë, mundim serbët dhe do të shkruajmë historinë

Pas kryesimit në kampionat dhe diferencës së krijuar me kundërshtarët, tashmë Skënderbeu është i fokusuar vetëm te ndeshja e së enjtes në Ligën e Europës atje ku do të përballet me Partizanin e Beogradit.

Për presidentin Ardjan Takaj, ky takim ka një rëndësi të veçantë, pasi në rast fitoreje në këtë ndeshje Skënderbeu hedh një hap të madh për kapjen e vendit të dytë në grup që do të hapte rrugën për një kualifikim historik. Megjithatë, në një ndeshje kaq delikate, Takaj kërkon mbështetjen e tifozëve, por mbi të gjitha bën apel për qetësi dhe rregullsi nga ana e tifozërisë, pasi kjo ndeshje është e klasifikuar si një prej sfidave që do të vëzhgohet nga UEFA dhe gabimet janë të pafalshme.

Takaj tribune

Nga kampionati te Liga e Europës, më mirë se kaq nuk ka ku shkon apo keni pritur edhe më shumë nga skuadra?

Skënderbeu deri tani ka bërë paraqitje të mira dhe po tregon forcën e vet në kampionat. Ndërsa të enjten kemi një ndeshje me shumë rëndësi në Ligën e Europës. Ne jemi në kuotën e një pike së bashku me kundërshtarin e së enjtes. Dinamo e Kievit është gjashtë pikë, ndërsa Jang Bojs 2 pikë. Nëse fitojmë këtë takim, do të ishte një hap gjigant i bërë nga ekipi ynë në fazën e grupeve.

Pak ditë më parë ju dhe kapiteni Orges Shehi u vlerësuat nga universiteti “Fan Noli”. Çfarë ndjesie ju jep?

Ka qenë një ndjesi e veçantë të them të drejtën, si për mua edhe për Orges Shehin. Ne jemi të përqendruar në fushën e futbollit dhe i kemi konservuar atje të gjitha energjitë tonë, por kur të vlerëson Universiteti i Korçës është respekt shumë i madh për të gjithë. Ne kemi një lidhje të fortë me qytetin dhe kjo është edhe një pikë e rëndësishme e forcës sonë. Lidhja që kemi me këtë qytet na bën që të jemi më të fortë.

Duket se rivalët nuk po ju ndjekin dot ose më saktë nuk janë aq të frikshëm. Mendoni se ka ardhur momenti që këtë sezon Skënderbeu ta “vrasë” shpejt kampionatin?

Nuk e di këtë, nuk mund ta them unë që tani. Kampionati është shumë i gjatë dhe ka garë të fortë. Ne do të vijojmë të punojmë në rrugën tonë, në atë që kemi nisur dhe të shohim vetëm përpara. Armiku ynë është vetëkënaqësia dhe nga kjo duhet të kemi shumë kujdes.

duka takaj

Ashtu si shumica e klubeve, edhe ju në raste të veçanta jeni ankuar për arbitrat, po tani si e shihni?

Nuk diskutohet që probleme ka pasur edhe këtë sezon në këto javë të para të kampionatit. Duhet të ndryshojë diçka, pasi nuk do t’i vinte mirë askujt që të përsëritej gjithmonë e njëjta situatë. Nuk diskutohet që gabime do të ketë siç ka në të gjitha kampionatet edhe kur ka moviolë në fushë, pasi disa gjëra ndahen 50 me 50, por mbi të gjitha duhet që gabimet, edhe kur të ndodhin, të jenë njerëzore dhe jo me vetëdije të plotë për të dëmtuar një ekip apo një tjetër.

Kukësit apo Partizanit duhet t’i trembesh?

Nuk i trembem asnjërit, kjo është e sigurt pasi kemi një ekip të kompletuar dhe nuk kemi frikë nga askush. Skënderbeu i trembet vetëm Skënderbeut.

Partizani nuk u ndahet edhe në Europë, çfarë prisni ndaj serbëve?

Ne presim gjithçka nga ky takim, presim që të bëjmë një lojë të madhe dhe të bukur. Ekipi është gati dhe po punon shumë për të qenë në lartësinë e duhur për të marrë këtë takim ajo çka duhet marrë.

takaj

Sa do të jetë premio në rast fitoreje?

Premioja nuk ka lëvizur dhe nuk do të lëvizë. Është caktuar që në fillim të fazës së grupeve dhe do të jetë 100 mijë euro për një fitore dhe 50 mijë euro për barazimin. Ne tani na bën punë vetëm fitorja.

Një kualifikim i mundshëm kalon nga kjo ndeshje?

I shkojmë shumë afër kualifikimit nëse fitojmë këtë takim. Unë e thashë që në fillim, nga vetë kushtet që ka grupi ynë mund të them se një fitore do të ishte shumë hap i madh drejt objektivit madhor për vetë faktin se Jang Bojs luan në Ukrainë dhe ne luajmë në fushën tonë. Duhet të fitojmë patjetër këtë takim dhe jam i bindur se do t’ia dalim.

Keni ndonjë apel për tifozët dhe a e prisni stadiumin në gjithë kapacitetin të mbushur?

Tifozët që do të jenë në “Elbasan Arena” jemi të bindur që do të vijnë vetëm për Skënderbeun. Do të mbetemi vetëm te ndeshja pa u munduar që ta lidhim me gjëra të tjera këtë takim. Është e pafalshme nëse do të gabojmë, këtë e them me siguri.

Kjo ndeshje është cilësuar me rëndësi të madhe nga UEFA dhe të gjithë krerët e UEFA-s do të jenë në vëzhgim të plotë të ndeshjes të së enjtes. Jemi të paralajmëruar dhe nuk duhet të gabojmë. Në stadium nuk duhet të ketë asnjë thirrje raciste apo gjest tjetër që të shkaktojë urrejtje. Vetëm mbështetje për ekipin, pasi objektivi ynë është shumë pranë. Të bëhemi bashkë për të fituar këtë takim dhe të synojmë hapin historik.

Në janar, kush nga lojtarët aktualë është më afër shitjes?

Nuk është momenti që të diskutojmë për merkaton tani, pasi të enjten kemi një takim mjaft të rëndësishëm dhe duhet të jemi të përqendruar vetëm te kjo ndeshje. Natyrisht që ka disa lojtarë, të cilët janë të vëzhguar nga ekipe të tjera të huaja dhe interesimi ka qenë i madh.

Por, ne do të vazhdojmë linjën tonë, qoftë për të mirë të klubit edhe për atë të individëve që do të përfitojnë nga transferimet. Është e ditur pastaj që Skënderbeu edhe për largimet që do të ketë në merkato i ka gati zëvendësimet e duhura pa i humbur cilësinë ekipit. Por, tani jemi të përqendruar te ndeshja me Partizanin e Beogradit dhe fitorja na çon shumë pranë hapit historik. Ne mund t’ia dalim të gjithë së bashku.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"