Super-Inter shkatërron Katanian, Maxarri në delir

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2013 | 14:03

Super-Inter shkatërron Katanian, Maxarri në delir

Katania-InterInteri i ri i Maxarrit ka dhënë një tjetër leksion pas atij në debutim me Xhenoan. Në transfertën me Katanian, zikaltrit bënë “bis” me fitore, pas rezultatit të pastër 3-0. Është Palasio që shënon golin e parë, ndërsa në pjesën e dytë i përgjigjen Nagatomo me një ekzekutim me kokë dhe Alvarez i jashtëzakonshëm. Të parët që hidhen në sulm janë zikaltrit, megjithëse nuk vonon edhe përgjigja e vendësve. Në 10 minuta tri raste për gol në portën e Handanoviç. Bergesio merr përsipër një sulm, i ndihmuar nga krahët nga Leto e Kastro. Ndërkohë vjen edhe momenti i ekzaltimit për Interin. Në minutën e 20-të Xhonatan driblon Monzon, pason për Palasion, i cili me portën bosh nuk fal, pasi mjafton vetëm pak sa të shtyjë sferën. Ka edhe tentativa për rikuperim nga Katania, por Ranokia e Kampanjaro neutralizojnë gjithçka, duke mbyllur çdo hapësirë të mundshme dhe larguar panikun nga porta kundërshtare. Fundi i pjesës së parë shkakton panik në radhët e skuadrës mike. Një ndërhyrje e Spolit ndaj autorit të vetëm të golit në këtë 45- minutësh të parë bën zemër pankinën dhe tifozerinë e Interit. Megjithatë, kryesori e mbyll pikërisht këtë pjesë të parë.
Pjesa e dytë – Thuajse me të njëjtin ritëm luhet edhe pjesa e dytë e takimit, por më afër golit është Interi. Dhe pikërisht janë miqtë që gjejnë qetësinë në minutën e 57-të. Xhonatan pason për Palasion, i cili harkon në zonë dhe Nagatomo i ndodhur në vendin dhe kohën e duhur realizon me kokë si silurë në gjysmëlartësi. Aziatiku do të provonte vetëm 3 minuta më parë me një aksion kopje, por finalizimi nuk vonoi për të. Në fakt, ndeshja nuk ka mbaruar për Katanian, megjithë disavantazhin e dy golave. Përpiqet të zgjojë Interin, por në fushë është pak konfuze. Episode sporadike regjistrohen në kuadratin e mbrojtur nga portieri slloven. Ndërkohë, rreziku i vërtetë vjen nga kampi tjetër dhe protagonisti është Riki Alvarez, i cili nxjerr gjithçka nga repertori i tij, 10 minuta nga epilogu i transfertës. Me një inkursion personal thuajse nga mesfusha, Alvarez hyn në zonën e rreptësisë dhe në diagonal gjuan me të majtë. Topi prek fillimisht shtyllën, por për fatin e tij të mirë përfundon sërish në rrjetë dhe vulos përfundimisht edhe fatin e ndeshjes. Përballja e ardhshme kundër Juventusit do të tregojë forcën e vërtetë të Interit në këtë prag-kampionati. Më 14 shtator, pas ndeshjeve të kombëtares, në “San Siro” vijnë bardhezinjtë.

“Nuk e prisja që të ishim kaq të fortë”
Interi i Valter Maxarrit duket një skuadër perfekte, e denjë për titull, ndonëse jemi vetëm në dy javët e para. Gjithsesi, duke parë që në 180 minuta ka shënuar 5 gola dhe nuk ka pësuar asnjë, premisat janë ekzaltuese, aq sa mahnisin dhe vetë trajnerin zikaltër, i cili analizon suksesin në Sicili. “Kemi marrë 6 pikë të plota në dy ndeshjet e para, por në fushë shoh ende disa naivitete që duhet t’i shmangim, sepse nëse do të kishim pasur përballë rivalë më të guximshëm, edhe mund të ishim ndëshkuar. Gjithsesi, fakti që po arrijmë të fitojmë dhe nuk kemi frikë për të sulmuar dhe tentuar portën kundërshtarë, më bën shumë optimist. Nëse e prisja një start të tillë? Realisht jo, nuk mendoja të ishim kaq të fortë dhe jam i mrekulluar nga mbrojtja. Por, mesa duket, këta djem janë shumë të zgjuar dhe e kanë kuptuar shumë shpejt cilat janë idetë e mia të futbollit. Unë nervoz në pankinë? Normale, kur shoh diçka që nuk shkon, më vjen të thyej gjithçka që më del përpara, por nëse vazhdojmë me këtë ritëm, kam bindjen se do të jem më i qetë në vazhdim”, – përfundoi trajneri 51-vjeçar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"