Sulovari: Lushnja rigjen veten në Vlorë, përballojmë çdo ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 16, 2024 | 10:28

Sulovari: Lushnja rigjen veten në Vlorë, përballojmë çdo ekip

Lushnjarët kanë përfunduar përgatitjet për ndeshjen që do të luajnë sot me Flamurtarin në Vlorë. Lajmi më pozitiv për skuadrën e Maganit është rikthimi i Sulovarit në mesfushë. 21-vjeçari luan një rol të rëndësishëm në fazën e ndërtimit të lojës. Në prag të Flamurtarit, Sulovari thotë se mund ta përballojnë skuadrën vlonjate.

sulovari

“Transferta e Vlorës do të jetë një përballje e vështirë për Lushnjën. Flamurtari ka shumë potencial dhe gjykoj se është ekipi më i mirë në Kategorinë e Parë. Mendoj se mund t’i përballojmë mjaft mirë vlonjatët. Rikthehem pas skualifikimit dhe më vjen keq që mungova për shkak kartonësh në derbin spektakolar midis Lushnjës dhe Apolonisë. Ekipi zhvilloi një ndeshje të mirë, gati perfektë.

Lushnja luan futboll të bukur dhe mund të përballojmë Flamurtarin dhe çdo ekip tjetër. Nuk e mendoj fare se rrezikojmë. Kemi ekip me element të mirë. Thjesht na duhet një rezultat pozitiv, që të rikthehemi e të rigjejmë veten. Ne mendojmë gjithmonë për ndeshjen e radhës, që t’i marrim maksimumin. Janë edhe tetë javë të tjera për t’u luajtur. Synojmë të marrim tri pikë në Vlorë, sepse na vlejë shumë, si për renditjen dhe për moralin e ekipit. Kemi treguar se me ekipet e forta dimë të luajmë mirë futboll”, deklaroi mesfushori i Lushnjës, Henri Sulovari.

DISHA – Te Lushnja ka disa ish-ë. Trajneri Gugash Magani, ai i portierëve Spaho, portieri Alimuçaj dhe mbrojtësi Disha kanë qenë më parë pjesë e Flamurtarit. Për fat të keq, te Lushnja mungon prej javësh mbrojtësi Roland Disha, që edhe në Vlorë nuk do të luajë.

“Përveç stërvitjes me ekipin po punoj individualisht me përgatitësin atletik që të kap formën optimale. Besoj se do të jem gati pas Flamurtarit, meqenëse favorizohem edhe nga ndërprerja e kampionatit. Më vjen shumë keq që nuk jam në Vlorë, në një ambient që të lejon të luash futboll. Këtë duel e shikoj shumë të fortë, pasi Flamurtari është pretendent. Gjatë javës ekipi ka punuar me seriozitet dhe uroj të dalim me një rezultat pozitiv. Uroj të kemi edhe pak fat, që na ka munguar në disa ndeshje”, deklaroi mbrojtësi Roland Disha.

lush

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"