Sulmi “trazon” Gegën, Kukësi i ri mes dilemash. Ja si priten të rreshtohen verilindorët këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2022 | 11:37

Sulmi “trazon” Gegën, Kukësi i ri mes dilemash. Ja si priten të rreshtohen verilindorët këtë sezon

Kukësi u ka dhënë fund përgatitjeve 2- javore në tokën turke, teksa ditën e djeshme është rikthyer në Shqipëri, për të nisur përgatitjet në kuadër të ndeshjes hapëse të kampionatit me Tiranën, që do të luhet më 20 gusht. Verilindorët zhvilluan tri miqësore, ku fituan një herë, barazuan po aq, si edhe koleksionuan një humbje. Mirëpo, nëse dilemat e ekipit të Skënder Gegës do të duhej të pakësoheshin, në fakt ato janë shtuar akoma edhe më shumë.

Kukesi

Vetë trajneri paralajmëroi pak ditë më parë në “Panorama Sport”, se jo të gjithë lojtarët ishin brenda pritshmërive në këtë fazë përgatitore në qytetin Bolu.

Problemi më i madh ka qenë goli (vetëm një i shënuar në tri miqësore), teksa ai që ka zhgënjyer më shumë ishte sulmuesi kroat, Ante Zivkoviç, i cili ka hasur probleme për t’u përshtatur si duhet me skuadrën.

Deri më tani, 29-vjeçari ka rezultuar një zhgënjim dhe pavarësisht firmës për dy sezone, mbetet për t’u parë nëse do ta vijojë aventurën me kuksianët.

ANALIZA – Edhe pse thuajse pas çdo stërvitjeje apo ndeshjeje gjatë këtyre dy javëve në Turqi, ka pasur analiza nga ana e stafit dhe klubit, pritet që një më e thelluar të bëhet pas mbërritjes në Shqipëri.

Skuadra, nga ndeshja në ndeshje, pati rritje dhe u provuan të gjithë lojtarët për të parë më nga afër situatën në të cilën ndodhen, ndërkohë që jo çdo gjë shkoi brenda pritshmërive.

Gega provoi skema të ndryshme dhe spostime lojtarësh, por u vu re se ekipi ka ende nevojë për përforcime dhe nuk është gati aty ku pretendohet nga stafi.

Në analizë pritet të dalin konkluzionet se ku po çalon skuadra dhe se çfarë mund të ndryshohet përgjatë këtyre pak ditëve që u kanë mbetur në dispozicion para nisjes së kampionatit. Burime të gazetës tregojnë se klubi po shqyrton mundësitë për të gjetur sulmues deri në fund të merkatos.

TITULLARËT – Në Turqi, Gega shpresoi që të kristalizonte edhe formacionin para nisjes së kampionatit, por është ende e vështirë të thuhet se si do të luajë Kukësi i këtij sezoni.

Fillimisht, verilindorët nuk patën mundësi të shihnin në fushë me pjesën tjetër të skuadrës dy lojtarët, Shqiprim Taipi dhe Redon Dragoshi, për shkak të dëmtimeve që kanë.

Nga ana tjetër, jo të gjithë ata që luajtën ishin në formën e duhur, ndaj këto ditë do t’i shërbejnë teknikut për të kristalizuar titullarët, pasi vetëm pak prej tyre mund të thuhet se e kanë vendin të sigurt.

kukesi (2)

Gjithsesi, trajneri do të bazohet tek ata lojtarë që ka aktivizuar më tepër në testet që ekipi zhvilloi në tokën turke.

Kalendari u ka rezervuar verilindorëve një short të vështirë, pasi përballë do të kenë kampionët e Tiranës, ndaj drejtuesit duan që deri në startin e sezonit ta kenë grupin “top” në të gjitha aspektet.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"