Stojanoviç: Me Tiranën ishte ndeshja ideale, Vllaznia s’ndalet më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 19:43

Stojanoviç: Me Tiranën ishte ndeshja ideale, Vllaznia s’ndalet më

Mbrojtësi serb i Vllaznisë, Millosh Stojanoviç, është duke bërë një performancë fantastike në dy muajt e fundit. Bashkë me kroatin Marko Juriç në qendër, si dhe Geralb Smajlin e Esin Hakajn nga krahët, i ka dhënë garanci kuqebluve në repartin e prapavijës. Jo më kot Vllaznia është skuadra që pëson më pak gola deri më tani.

stojanovic

Në një intervistë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari foli për momentin fantastik të skuadrës, ndeshjen e radhës në Kupë me Erzenin, si dhe atë në kampionat kundër Skënderbeut. Ai është i bindur se kuqeblutë do t’i shkojnë deri në fund objektivave, qoftë për kampionat, ashtu edhe në Kupë. Mbrojtësi nga Beogradi ka një mesazh edhe për tifozët e Vllaznisë.

Stojanoviç, u bënë disa javë që po tregoni një formë fantastike, bashkë me kolegun tuaj në qendër të mbrojtjes, Juriç. Ishte kjo kundër Tiranës ndeshja juaj më e mirë?
Unë mendoj se të gjithë kemi qenë mirë. Kemi bërë një ndeshje të madhe kundër Tiranës, pasi të gjithë lojtarët kane qenë në formë. Gjithsesi, jam dakord që kjo është ndeshja më e mirë që kemi luajtur deri tani. Tirana mbetet Tiranë, është ekip i fortë, por ne besuam në aftësitë tona. Dhamë më të mirën në fushë dhe ia dolëm ta fitojmë këtë ndeshje.

Më parë keni luajtur në Superiore si pjesë e Bylisit dhe Kastriotit. Po e shijoni këtë sezon tek Vllaznia?
Kam luajtur më parë në Ballsh dhe Krujë, por e them me plot gojën se ky është viti më i mirë për mua dhe kjo shihet edhe në rezultatet e ekipit. Unë shpresoj që të ecim deri në fund kështu.

Si ndiheni në Shkodër dhe cili është raporti juaj me tifozët?
Dua të falënderoj tifozët e shumtë që ishin në ndeshjen e fundit dhe u bëj thirrje që të vijnë edhe në takimet e tjera për të na mbështetur. Mund të them se jam me fat që jam këtu në Shkodër.

Pas janarit, dukeni një tjetër lojtar. Çfarë ka ndryshuar te ju?
Çdo ndeshje ka pasur vështirësitë e veta dhe forma ime ka qenë gjithmonë e në rritje. Tani gjithçka është shumë mirë.

Të mërkurën luani me Erzenin në Kupë, ku iu duhet të përmbysni rezultatin 2-1. Sa besoni?
Duhet të japim maksimumin dhe të fitojmë. Besoj se do të kualifikohemi në turin tjetër.

Fazën e tretë e mbyllni me Skënderbeun në Korçë. Çfarë prisni?
Në të gjitha ndeshjet do të kërkojmë tri pikët. Deri tani kemi ecur shumë mirë dhe kështu që do të vijomë kështu edhe në të ardhmen.

Ju kanë kontaktuar nga Serbia së fundmi për atë që po bëni në Shqipëri?
Gazetat në Serbi nuk shkruajnë shumë për ne. Megjithatë, miqtë e mi më ndjekin dhe pas ndeshjeve më përshëndesin gjithnjë në telefon.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"