Stefan Petrovski fiton etapën e tretë të turit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2014 | 19:26

Stefan Petrovski fiton etapën e tretë të turit

ciklU zhvillua dje etapa e tretë e turit çiklistik të Shqipërisë në itinerarin Burrel-Durrës me gjatësi 122 km. Edhe në këtë segment çiklistët e huaj kanë qenë sërish protagonistë duke zënë dy nga tre vendet e para. Kështu në vendin e parë u renditën Stefan Petrovski, çiklisti maqedonas i ekipit “Velo M Kumanova” me një kohë prej 2 orë, 43 minuta dhe 49 sekonda. Në vendin e dytë, vetëm një sekondë pas fituesit, u rendit çiklisti Marko Stankoviç i ekipit “Novi Pazar” me kohën 2 orë, 43 minuta dhe 50 sekonda. Vendin e tretë në podium e plotësoi çiklisti i Apolonisë, Kristel Sota, me kohën e përgjithshme prej 2 orësh, 43 minuta dhe 51 sekonda. Siç e tregon edhe diferenca me vetëm një sekondë mes tre vendeve të para, gara e djeshme ka qenë shumë e fortë dhe e luftuar deri në sekondën e fundit. Të 11 çiklistët e ekipeve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia dueluan mes tyre deri në fund për të marrë komandën e garës, e cila në fund pa si fitues çiklistin maqedonas. Nisja u bë rreth orës 10:00 në qytetin e Burrelit dhe mbërritja rreth orës 12:45 minuta para pallatit të sportit në Durrës. Pikërisht në finish situata duket se çaloi disi. Në momentin e mbërritjes së çiklistëve pranë vijës së finishit, rruga para tyre nuk ishte krejtësisht e lirë për shkak të njerëzve dhe makinave të shumta. Konkretisht, rreth 50 metra para finishit, forcat e rendit e kishin të vështirë të menaxhonin makinat dhe njerëzit nga rruga e çiklistëve, duke krijuar një situatë konfuze. Sidoqoftë, duhet nënvizuar fakti se ky incident i vogël nuk ndikoi në rezultatin final të garës, e cila u fitua me meritë nga Petkoviç. Etapa e radhës zhvillohet nesër në segmentin Durrës-Vlorë dhe është e gjatë 118 km. Sakaq, nuk ka ndryshuar asgjë për sa i përket klasifikimit të përgjithshëm ekipor dhe atij individual. Deri më tani, renditjen ekipore e kryeson skuadra e Apolonisë së Fierit, ndërsa atë individuale çiklisti serb, Marko Stankoviç, fituesi i etapës së dytë të tyrit, i cili aktualisht mban edhe fanellën e verdhë të liderit të klasifikimit.

Veliaj revoltohet për keqorganizim
Nuk ka kaluar pa incidente etapa e 3-të e turit çiklistik. Gjatë garës së djeshme, në momentin e mbërritjes së çiklistëve pranë vijës së finishit, rruga para tyre nuk ishte krejtësisht e lirë për shkak të njerëzve dhe makinave të shumta. Konkretisht rreth 50 metra para finishit forcat e rendit e kishin të vështirë të menaxhonin garimin e çiklistëve. Këta të fundit pedalonin mes njerëzve, duke krijuar situata rreziku të ndërsjellta. Lidhur me këtë incident, pakënaqësinë më të madhe e shprehu çiklisti i ekipit të Tiranës, Olsion Veliaj, i cili u duk shumë i tensionuar, madje përplasi në tokë edhe biçikletën në shenjë pakënaqësie dhe revolte për organizimin final.

Anxhaku: Etapa shkoi mirë, me përjashtim të momentit final
Në përfundim të garës, presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, foli për mediat duke vlerësuar ecurinë e garës së djeshme. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Sanxhaku u shpreh: “Jemi të gëzuar që edhe kjo etapë shkoi mirë. Është një ndër etapat më të vështira dhe rivaliteti ishte me të vërtetë shumë i lartë. Sportistët e huaj bënë paraqitje shumë të mira, po ashtu edhe sportistët e ekipeve shqiptare, duke dëshmuar që rivaliteti përgjatë gjithë ciklit do të jetë i lartë. Dua të falënderoj klubin shumësportësh të Durrësit për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën në organizim”. Më pas, kreu i Federatës Shqiptare të Çiklizmit ka shtuar: “Po ashtu, dua të falënderoj edhe policinë e shtetit për punën e mirë, me përjashtim të momentit final që mund të organizohej edhe më mirë prej tyre. Pavarësisht këtij incidenti të vogël, i cili gjithsesi nuk ndikoi në rezultatin final, çdo gjë shkoi sipas parashikimit”.
ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"