Starti më i mirë, Kastrioti u merr pikë edhe “të fortëve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2022 | 13:52

Starti më i mirë, Kastrioti u merr pikë edhe “të fortëve”

Kastrioti është një ndër ekipet që në javët e fundit po bën mirë duke u konfirmuar një kockë e fortë për kundërshtarët, madje edhe për skuadrat kryesuese që kanë pretendime.

KASTRIOTI

Qe nga ekipi kryesues, Partizani, ndjekësi Tirana apo dhe Erzeni dhe Kukësi që renditen në vendet 3 dhe 4, Kastrioi u ka marrë pikë, madje verilindorët i ka mposhtur në fushën e tyre me përmbysje.

Stafi teknik dhe skuadra kanë bërë një punë të shkëlqyer në këto javë të para, duke bërë një start shumë më të mirë në sezonet e shkuara.

Nëse i hedh një sy edicionit të shkuar, Kastrioti pas javës së 8-të renditej në vendin e fundit me vetëm 5 pikë, por pas janarit krutanët ndryshuan fytyrë dhe arritën të grumbullonin shumë pikë, madje duke thyer rekord me 43 të tilla përgjatë gjithë sezonit.

Edhe këtë vit synohet që të zhvillohet një tjetër sezon pozitiv madje, ndonëse jo i bërë publik si objektiv, krutanët synojnë që të zhvillojnë një sezon edhe më pozitiv se ai i vjetshmi.

Ndeshja e radhës, e cila do të zhvillohet këtë fundjavë në stadiumin e Kamës, i përball krutanët me Laçin, një ekip mjaft i fortë ndonëse aktualisht renditet fund.

Krutanët e kanë vlerësuar maksimalisht këtë sfidë dhe lajmi i mirë është se stafi teknik e ka të gjithë grupin e lojtarëve në dispozicion për këtë sfidë delikate.

Gjithashtu këtë javë, do të jetë në pankinë edhe tekniku Çela, i cili pasi shleu dënimin dyjavor i është falur dënimi, me kusht prove 6 mujor.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"