Stadiumi “Roza Haxhiu” është gati, flet Canka: Lushnja, fitore me çdo kusht ndaj Besëlidhjes!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 10:38

Stadiumi “Roza Haxhiu” është gati, flet Canka: Lushnja, fitore me çdo kusht ndaj Besëlidhjes!

“Roza Haxhiu” është zyrtarisht gati. Stadiumi do të hapë dyert për Lushnja-Besëlidhja, që përkon me javën e tretë të Kategorisë së Parë. Kjo është e para ndeshje për verdhejeshilët në shtëpi, ndaj fitorja bëhet detyrim dhe sidomos pas asaj humbjeje dramatike që pësuan në transfertën beratase.

Canka

Ekipi ka “arkivuar” përmbysjen ndaj Tomorit dhe është angazhuar totalisht te ky 90-minutësh.

Nuk do ta kenë shëtitje me lezhjanët dhe këtë e kanë më shumë se të qartë, ndaj edhe gjatë gjithë javës kanë punuar për të përmirësuar manovrën.

Kërkohet mbrojtje e ngjeshur dhe e kujdesshme, mesfushë që krijon hapësira dhe shërben, e mbi të gjitha, një sulm që shënon. Për golat duhet të mendojnë pikërisht lojtarët e vijës së parë.

Gjasat janë që këtë javë të ketë një ndryshim në 11-she, pasi do të luhet me dy sulmues dhe jo më tre.

Mikel Canka beson se do t’ia dalin dhe “zemër” merr pikërisht nga tifozët, që pritet të mos mungojnë sot në orën 15:00. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, kapiteni thotë:

“Skuadra ka punuar mirë gjatë javës. Ekipi ka qenë serioz dhe i përkushtuar gjatë përgatitjeve.

Kemi përpara një kundërshtar të fortë. E tregojnë edhe 4 pikët që kanë marrë në këto dy javë. Lushnja gjithmonë e ka vlerësuar Besëlidhjen. Do të japim maksimumin tonë për ta fituar këtë ndeshje.

Është momenti që Lushnja para publikut të saj të zjarrtë, të marrë fitoren e parë në kampionat”.

Ekipit do t’i mungojnë dy lojtarë sot, mbrojtësi Florian Daci dhe mesfushori Ervis Gjyla (që janë të dëmtuar). Pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për stafin teknik.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"