Spostohet ndeshja, Partizani në Sarandë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2012 | 13:48

Spostohet ndeshja, Partizani në Sarandë

Partizani nuk do të udhëtojë sot drejt Vlorës, ashtu siç ishte parashikuar, për të luajtur ndeshjen e javës së 11-të ndaj Himarës, por drejt Sarandës. Një vendim i tillë është marrë dje nga drejtuesit e klubit himarjot, të cilët duket se nuk kanë arritur akordin me drejtuesit e Flamurtarit për ta luajtur ndeshjen në stadiumin e qytetit të Vlorës. Edhe pse një akord i tillë ishte arritur për ditën e diel, kur ishte parashikuar të zhvillohej edhe ndeshja, shtyrja e saj për të mërkurën ka bërë që drejtuesit vlonjatë të ndryshojnë mendje dhe të mendojnë për takimin që do të ketë Flamurtari këtë fundjavë në shtëpi ndaj Kukësit. Edhe pse dita kur do të luhet kjo ndeshje nuk është përcaktuar ende, drejtuesit vlonjatë kanë menduar për gjendjen e fushës dhe problemeve që ajo mund të shfaqte, në rast se do të luhej takimi mes Himarës dhe Partizanit në mesjavë. Për këtë ndryshim fushe, drejtuesit e kuq janë lajmëruar gjatë ditës së djeshme dhe kanë ndryshuar edhe planet e udhëtimit. Partizani do të udhëtojë pas seancës së sotme stërvitore drejt Sarandës, ku do të grumbullohet në një nga hotelet e këtij qyteti.
Tifozët – Ndryshimi i qytetit ku do të luhet ndeshja ka prishur në një farë mënyre edhe planet e tifozërisë së kuqe, e cila kishte bërë edhe përgatitjet. Tifozët e kuq kishin udhëtuar ditën e shtunë drejt Vlorës me idenë që ndeshja do të luhej të dielën dhe përcaktuan edhe detajet e fundit të organizimit të tyre. Por, edhe pse takimi u shty, për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta të gjyqtarit Pjetrushi, ata lanë gjithçka gati për ditën e mërkurë. Ndërsa, me ndryshimet e fundit, tanimë tifozët janë duke përgatitur një tjetër plan, për të mbështetur skuadrën. Ata do të jenë në Sarandë, pavarësisht largësisë së saj, në mënyrë të organizuar, ndërsa nga kryeqyteti ashtu si ditën e hënë pritet të niset një autobus falas, i vendosur nga presidenti Sallaku.

Stërvitja
Nën drejtimin e trajnerit Nikolin Çoçlli të kuqtë zhvilluan dje stërvitjen e radhës në Kamzë, ku grupi i lojtarëve ishte i plotë. Tekniku ka kërkuar përqendrim maksimal nga grupi, si dhe zbatim me përpikëri të skemave tekniko-taktike. Sot paradite skuadra do të zhvillojë një tjetër stërvitje në Kamzë, më pas do të bëhet nisja drejt Sarandës.

2 mungesa
Kaq do të ketë Partizani për ndeshjen ndaj Himarës. Bëhet fjalë për Alcanin dhe Linin, të cilët janë të pezulluar për shkak kartonësh, ndaj nuk do të jenë në fushë. Megjithatë, trajnerit Çoçlli nuk i mungojnë alternativat për zëvendësimin e tyre.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"