Ylli Shehu, goli ndaj Suedisë që magjepsi edhe Fiorentinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 17:08

Ylli Shehu, goli ndaj Suedisë që magjepsi edhe Fiorentinën

 Nga UVIL ZAJMI

 A61113F5-81B4-44E0-B7DB-86F5DD50EF37

Shkak për ta risjellë atë çast u bë ceremonia e dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” Ylli Shehut. Pas shfaqjes së disa pjesëve filmike nga karriera e tij, presidenti i Republikës, Ilir Meta, para se t’i jepte dekoratën tha se kishte mbetur “i zhgënjyer” pasi priste të shihte golin e tij kundër Suedisë. Ai ka qenë një gol jo si shumë të tjerë realizuar me klube përfaqësuese në aktivitete zyrtare kombëtare e ndërkombëtare. Madje, krejt ndryshe, i veçantë, i rrallë, i shënuar ndaj një skuadre të madhe me lojtarë klasi dhe veçanërisht për nga mënyra e ekzekutimit, realizimit. Një interpretim perfekt, alternim, talent, shpejtësi, teknikë e lartë, administrim, qetësi, saktësi e finalizim mjeshtëror. Ndonëse kanë kaluar dekada, madje jemi pas një shekull, ai gol i shënuar 30 vite më parë edhe sot kujtohet, mbahet mend dhe është vështirë të harrohet: “Goli i Ylli Shehut kundër Suedisë”. Kaq mjafton për të kujtuar momentin magjik, rrethanat, situatën kur topi ndali në rrjetë, emocionet e një “Qemal Stafe” të ndezur, të teleshikuesve para ekranit, atyre me veshin te radioja.

Pse ai gol ishte dhe mbetet kaq spektakolar? Si u përjetua nga shqiptarët sportivë atëherë, por edhe sot, dhe cili ishte reagimi? Si u përcoll te menaxherët e pranishëm në kombëtarin tiranas dhe veçanërisht atyre italianë ai gol? Interesimi i të huajve, kurioziteti i tyre lidhur më këtë talent të madh të një vendi afër, por të një futbolli të panjohur, të pazbuluar prej tyre. Gëzim Nushi, gazetar sportiv, rrëfen për herë të parë kur menaxheri i Fiorentinës i ardhur në Tiranë, menjëherë pas ndeshjes, i kërkoi mundësinë e tratativave dhe transferimit të menjëhershëm të Ylli Shehut në Serinë A te Fiorentina e Baxhos me çfarëdo çmimi të mundshëm. “U takuam pas ndeshjes dhe më shfaqën interesimin për Ylli Shehun”, thotë për “Panorama Sport” Nushi. Pastaj një intervistë me Ylli Shehun, protagonistin absolut të atyre 90 minutave, aksionin, golin, çastin kur topi tundi rrjetën e portës jugore, entuziazmin dhe befasimin suedezëve në atë avantazh provizor 1-0. Një gol, dy, tre, shumë të tjerë, secili ka rëndësinë, vlerat, kur dhe si, në çfarë rrethanash është shënuar, sikurse edhe ndeshja. Ai ka qenë dhe mbetet goli i jetës për Ylli Shehun, siç edhe thotë.

161AD4C5-8D69-4B08-B5DA-D62F2DE48A20

Ndeshja, një humbje e pamerituar

Eliminatoret për Kampionatin Botëror “Italia ‘90”. Shqipëria është në grup me Suedinë, Poloninë, Anglinë. 5 nëntor 1988, Tiranë, ora 14:00, kohë e mirë, Shqipëri-Suedi 1-2. Kombëtarja shqiptare vinte pas një humbjeje minimale në Poloni 1-0, një muaj më parë. Në “Qemal Stafa” interesim i madh për të parë Suedinë, me lojtarë klasi, titullarë në klubet perëndimore të kohës, veçanërisht disa prej tyre në Serinë A, një kampionat i ndjekur edhe nga sportdashësit shqiptarë që kanë njohje dhe informacion për ta.

 

05.11.1988

SHQIPËRI-SUEDI 1-2

Shënues: Shehu 33’/ Holmquesit 68’, Ekstrom 71’

Shqipëria: Mersini, Zmijani, A. Lekbello, Hodja, S. Gega, Jera, Josa, Demollari, Millo, Minga, Shehu.

Trajner: Sh. Rreli

Suedia: Ravelli, R. Nilson, Hysejn, Larsson, Lonn, Thern, Stromberg, Prytz (Holmkuist 67’), J. Nilsson, Peterson, Esktrom. Trajner: O. Nordin.

Arbitër: G. Monogly (Turqi)

Spektatorë: 16.000

C7C9D85D-BC2A-4D6A-A276-9C67E1E2FA81

 

Kronika

Minuta 33, një situatë konfuze në mesfushën tonë, topi përfundon te këmbët e Ylli Shehut, i tërhequr e që ndodhet në vijën anësore nga sektori i tribunës përballë. Një kombinim mur me Jerën, pas të cilit nis vrapi me hapin galopant e topin në këmbë. I shkëputur, një sprint rreth 40 metra, i jashtëzakonshëm, duke lënë pas suedezët që janë vënë në ndjekje të tij. Në hyrje të zonës, ndonëse kanë tentuar ta pengojnë, Shehu ka goditur dhe topi ndalon në rrjetë nga porta jugore. Një stadium në delir.

Pjesa e dytë

Minuta e 68-të, Holmquesit, i sapofutur në lojë, në një aksion pa pretendime, i ndodhur brenda zonës, godet në të djathtë të Mersinit topazi dhe barazim 1-1. Pa kaluar as katër minuta, Ekstrom do të dyfishojë shifrat dhe 2-1 për suedezët. Ky është dhe rezultati final. Suedia, një skuadër e kompletuar që bashkë me Gjermaninë u kualifikuan për në fazën finale të “Italia ‘90”, luajnë nga Ravelli, 17 vite portier i kombëtares, mbrojtësi Hysejn, Stromberg, Holmquesit, Prytz, titullarë në klubet e Serisë A.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"