Kur edhe gazetaria kalonte kufijtë e Shqipërisë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2023 | 16:42

Kur edhe gazetaria kalonte kufijtë e Shqipërisë…

NGA BESNIK DIZDARI
Ky shkrim që keni këtu, është botuar më 12 gusht 1992 në revistën e famshme italiane “Guerin Sportivo” – sot e kësaj dite revista më e vjetër sportive. Ajo botohet qysh nga viti 1912.

sdasdasdasdasdadas

Vetvetiu, ky shkrim është një pikë referimi në profesionin tonë. Kjo për faktin se me mbërritjen e demokracisë, na duhet të pranojmë se shkrimet e para të gazetarëve shqiptarë në shtypin e huaj, nisin falë gazetës “Sporti Popullor” (“Sporti”, “Sporti Shqiptar”).

Shkrimi me titullin origjinal në italisht “Due in uno”, kërkon të nënkuptojë, si të thuash, ndarjen e garës së këtij kampionati në dy kampe: synuesit pretendentë për titullin kampion dhe “pretendentët” për të mos rënë. Po e botojmë fjalë për fjalë si 31 vjet më parë meqë është shkrimi i parë që botohet në shtypin e huaj prej një gazetari shqiptar në prag të fillimit të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë.

Ne kishim filluar marrëdhëniet tona modeste me “Guerin Sportivo”, ndonëse përmes pjesëmarrjes në Jurinë e “Topit të Artë” më parë (1987), kishim filluar marrëdhëniet me “France Football”. Por një shkrim kësisoj për fillimin e kampionatit të Shqipërisë, shkruar prej shqiptarëve, përveç të tjerave, si një lloj reklame apo publiciteti para fillimit të tij, është rast unik.

Shkrimi është përfshirë në rubrikën e “Guerin”… me okielën (mbititullin) “Campionati al via” (“Nisin kampionatet”). Fjala ishte për fillimin e sezonit të ri të kampionateve kombëtare të futbollit për shtetet e Europës. Shkrimi ynë botohet së bashku me shkrimet kushtuar fillimit të kampionateve të Danimarkës, Holandës, Turqisë, Çekosllovakisë, Portugalisë, Kroacisë, Sllovenisë, Rumanisë, Hungarisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë, të botuar secili në nga një faqe reviste, sipas kësaj radhe, duke përfunduar me shkrimin për Shqipërinë. Dhe nuk duhet harruar se “heshtja” në shtypin e huaj për Kampionatin e Shqipërisë për dekada ka qenë shembullore.

Dihet ndërkaq, se më parë Shqipëria, me skuadrën kombëtare “Shpresa” më 1983 (shpejt besoj se do t’ia kujtojmë 40-vjetorin, kësaj here me disa risi shkrimesh) e çoi atë (1984) në ndeshjen me Shpresën e Italisë për 1/4-tat e Kampionatit Europian. Çka bëri që gazetarë të tillë të “Guerin”, si Pino Montagna e deri te Marco Montanari – kryeredaktor i saj (drejtor ishte i mirënjohuri Filippo Grassia), të vizitojnë Shqipërinë. Prej ku lindën shkrime të tyre me mjaft vlerë. Madje edhe të natyrës politike, teksa sado që ne mundoheshim t’ua fshihnim mjaft të vërteta të hidhura për Shqipërinë e izoluar deri në skaj, ata nuk të falnin.

I ruaj për sot e kësaj dite këto shkrime, me pasazhe edhe të një ironie, sepse në fund të fundit, tregojnë një epokë që kur e kujtojmë sot, mahnitemi edhe ne vetë. Ndoshta një nga risitë e shkrimeve për 40-vjetorin e “Shpresës” së Ramazan Rragamit në tetëshe të Europës, mund të jetë edhe botimi i reportazhit emblemë të Marco Montanarit.

Sot, në këtë fillim të kampionatit 2023-‘24, mbas përtej 30 vjetëve, përmes “Guerin Sportivo” të Italisë, po kujtojmë kampionatin 1992- 1993, si i pari kampionat i plotë i zhvilluar në Shqipërinë demokratike. Ndërsa kujtojmë se 5 muaj më parë zgjedhjet pluraliste kishin dhënë fitoren e sigurt të Partisë Demokratike, e cila kishte udhëhequr “revolucionin e butë shqiptar” që përmbysi Shqipërinë komuniste.

E vërteta është se me fitimin e titullit më 1991 nga Flamurtari dhe më 1992 nga Vllaznia, edhe Kampionati Kombëtar i Shqipërisë po hynte në një rrugë të re, duke mbetur në përmbajtjen e tij ky i vitit 1992- ‘93 si i pari i plotë i epokës së re të një Shqipërie tjetër.

Posteri i Partizanit - Kampionia 1992-‘93 botuar në gazetën “Sporti” (“Sporti Shqiptar”) më 11 maj 1993.

Posteri i Partizanit – Kampionia 1992-‘93 botuar në gazetën “Sporti” (“Sporti Shqiptar”) më 11 maj 1993.

Në shkrimin e “Guerin…” – në vështrimin e sotëm mbase një shkrim pa asnjë gjë të jashtëzakonshme, sidomos për lexuesit e brezit të sotëm – po të kthehesh në kohë kupton se me këtë kampionat 1992-‘93 po niste edhe vetë “revolucioni” i kampionatit të futbollit të Shqipërisë. Tashmë “terma” të rinj, deri asokohe të papranueshëm në shkrimet tona, të tillë si “emigrim futbollistësh”, “sponsor”, “shqiptarë në klube të Europës”, “në “Gjermani, Greqi, Jugosllavi e deri te Buduçnost i Titogradit të Jugosllavisë”, çka duam apo s’duam po e varfëronin kampionatin e Shqipërisë, po pasuronin futbollistët “e varfër” të Shqipërisë. Dhe e gjitha kjo plot forcë po sillte më të rëndësishmen: lirinë edhe të jetës futbollistike dhe sportive të atdheut.

E pra, çka do të ishte ky kampionat 1992- ‘93?

Përfundimi i tij do të përmbyste disi idenë tonë rreth rënies së Partizanit e të Dinamos, të cilët nuk do të ishin më klube të favorizuara të ministrive përkatëse.

Mirëpo, ja që do të ishte pikërisht Partizani – kampion i Shqipërisë! Dhe për më tepër ai do të ishte një Partizan i ekonomisë së tregut, duke u bërë i pari klub shqiptar i sponsorizuar.

Këtë e nënvizonte fort kolegu ynë i paharrueshëm, Nexhat Gjuzi, në shkrimin e tij të 11 majit 1993:

“…Partizani, – shkruante Gjuzi, – është ngjitur në piedestalin e fituesit. Tifozët e tij janë të pranishëm edhe sot në stadiumin “Qemal Stafa” për ta përshëndetur. Pikërisht ata do t’i rendisnim si frymëzuesit e parë të këtij ekipi… Partizani, i pari klub futbolli shqiptar “i sponsorizuar”. Pse në thonjëza? Sepse nuk është plotësisht kështu, por meqenëse kështu njihen në përgjithësi këto lloj marrëdhëniesh. Në të vërtetë Partizani është një shoqëri e përbashkët me firmën “Abaco”, me emrin e së cilës na u shfaq në fanellë gjatë këtij kampionati. Shoqëria e përbashkët “Partizani- Abaco” ishte një frymëzim plot fryt me prodhim të mbarë shumëpalësh. Presidenti i klubit, i palodhuri, Bujar Labinoti, dhe ai i firmës “Abaco”, Enzo Mignoli, por dhe presidenti i skuadrës, Stefano Salvati, me një gjuhë të përbashkët çuan ujë në një drejtim: në harmonizimin e interesave të futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të klubit të futbollit…”

Kampionati i Shqipërisë kishte shpallur kështu kampione skuadrën e parë “të sponsorizuar”, skuadrën e parë me firmën e sponsorit në gjokset e lojtarëve, siç e shihni në foton këtu. Ky Partizan i famshëm, kishte fituar një nga kampionatet më të bukura në histori, pamja përfundimtare e të cilit për të 16 skuadrat ishte kjo:

KAMPIONATI KOMBËTAR I SHQIPËRISË 1992-‘93:
1. PARTIZANI / Tiranë                      43 17 9 4 53-22
2. TEUTA / Durrës                             38 15 8 7 32-21
3. BESA / Kavajë                                 37 14 9 7 42-22
4. VLLAZNIA / Shkodër                   37 15 7 8 44-26
5. KS ELBASANI / Elbasan              31 12 7 11 36-32
6. DINAMO / Tiranë                         29 10 9 11 32-33
7. APOLONIA / Fier                          28 9 10 11 41-43
8. KS LUSHNJA / Lushnjë              28 10 8 12 30-35
9. ALBPETROL / Patos                    28 10 8 12 38-48
10. KF LAÇI / Laç                              28 11 6 13 26-37
11. SK TIRANA / Tiranë                   27 7 13 10 24-28
12. SOPOTI / Librazhd                     27 9 9 12 36-41
13. FLAMURTARI                             27 8 11 11 28-34
14. KASTRIOTI / Krujë                    26 8 10 12 29-32
15. TOMORI /Berat                           25 11 3 16 28-53
16. KS POGRADECI / Pogradec     21 8 5 17 26-38

Nga arkivi im nxjerr emrat e kampionëve partizanas:

E.Kasmi, Dani, Papa, Kokalla, Berberi, Ndoci, Xhengo, Shulku, A.Tafaj, Ocelli, Pelinxhi, Nikolla, Myftari, Allaj, Jashari, Muça, Çoçlli, Bano, Meta, Zela, Liçi, Y.Shehu, Kumaj, Haçi, Dosti, Ziu, Satko, A.Hoxha. Duke mos u betuar për asnjë pasaktësi sado të vogël, këta janë të gjithë ata të cilët kanë luajtur qoftë edhe 1 ndeshje të vetme. Këtu të rreshtuar, jo sipas meritave, po duke i kaluar radhazi nga mbrojtja, mesfusha e sulmi.

Trajneri ishte padyshim Sulejman Starova. Por në bllokun e arkivit tim çuditërisht kam shënuar tre trajnerë: Sulejman Starova, Muç Fagu dhe Hasan Lika. Ata duken edhe në këtë foto, çka tregon se në Shqipëri po niste drejtimi i skuadrave prej stafit të plotë teknik, që nuk e dobësonte aspak figurën e trajnerit të parë. Përkundrazi, e përforconte atë.

Ndërkaq, entuziazmi përfshinte edhe gazetarinë tonë. Do të botonim posterin e Partizanit në dy faqe gazetë, për fat pa ngjyra, por tejet të hijshëm e modern, siç e shihni edhe këtu të ribotuar.

Kampionati i Shqipërisë me sezonin 1992-‘93 po niste një epokë të re. Ajo erdhi duke u bërë gjithnjë e më kuptimplote dhe më e fuqishme. Nuk po guxoj të shkoj më tej, ndonëse një pyetje retorike më del vetvetiu: sa jemi sot, mbas 30 vjetëve, vërtetë edhe më kuptimplotë e më të fuqishëm me kampionatin e Shqipërisë?…  b.d.

SHQIPËRIA: NIS KAMPIONATI
Dy në një

* Gjysma e ekipeve pjesëmarrëse do të luajnë për titullin, gjysma tjetër për shpëtim. Më në fund do të jetë një turne pa kushte, i pari në emër të demokracisë. Partizani dhe Dinamo do të startojnë në të njëjtin nivel me të tjerët.

Nga BESNIK DIZDARI
“Guerin Sportivo”, 12 gusht 1992

Nën “choc”-un e provokuar për shkak të përjashtimit prej Kupave europiane, i motivuar nga “mungesa e sigurisë për ekipet mysafire” dhe praktikisht pa asnjë nga ata lojtarë që rinisën jetën e Kombëtares, fillon kampionati i 54-t i Shqipërisë. Do të jetë i pari i një federate të pavarur nga Komiteti Olimpik Shqiptar. Kështu përfundon një autokraci që zgjati 47 vjet, dhe e cila e kishte çuar edhe futbollin në izolim.

Në kushtet e reja imazhi i futbollit vendës do të transformohet. Sponsorët, reklamat, tregu i transfertave tashmë janë realitet edhe për Shqipërinë. Sigurisht që kampionati që po nis është pak i varfër, por ka shumë të rinj të vlefshëm që ende janë të pranishëm. Situata e rëndë ekonomike që vështirëson shumë vendin, prek edhe futbollin. Të gjitha skuadrat janë në kërkim të një sponsori. I pari që pati sukses ishte Partizani, i cili lidhi kontratë me “Abaco”-n e Ternit, një kompani që operon në sektorin e ndërtimit.

Lufta për titull është një sfidë mes skuadrave të kryeqytetit, Partizani, Dinamo dhe SK Tirana (ish-17 Nëntori) dhe ato të krahinave të tjera, Vllaznia e Shkodrës, Teuta (ish-Lokomotiva) e Durrësit, Besa e Kavajës, Flamurtari i Vlorës dhe SK Elbasani (ish-Labinoti). Sot kampionati shqiptar është më i hapur. Partizani dhe Dinamo nuk janë më ekipet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Së bashku ata kanë fituar 29 tituj; shpesh në mënyrë arbitrare për rreth 40 vjet, ata kanë qenë padronë të futbollit vendës, me të drejtën ekskluzive për të marrë lojtarët që u duheshin nga klube të tjera të varfra.

Ashtu si në sezonin e kaluar, favoritët e parashikuar do t’i gjesh nga kampionia në fuqi, Vllaznia, deri më sot fituese e shtatë titujve. Asaj do t’i mungojnë dy lojtarë të rëndësishëm, si portieri për Kombëtaren, Avenir Dani, dhe mesfushori Bujar Gruda, në negociata me skuadra greke. Por janë kthyer dy lojtarë të mirë, si Zamir Shpuza dhe Ramiz Bisha, të sapokthyer nga një përvojë modeste në Jugosllavi me Buduçnostin. Me 21-vjeçarin Edmir Bilali, golashënuesi më i mirë i sezonit që shkoi me 20 gola, ata besojnë se do t’i japin jetë një trioje të frikshme. Trajneri i skuadrës së lavdishme të veriut të vendit, Astrit Hafizi, është një pikë referimi, mbi të gjitha për aftësinë e tij për të rritur lojtarët e rinj.

Faqe e “Guerin Sportivo” (12 gusht 1992) me shkrimin në prag të fillimit kampionatit të Shqipërisë 1992-‘93.

Faqe e “Guerin Sportivo” (12 gusht 1992) me shkrimin në prag të fillimit kampionatit të Shqipërisë 1992-‘93.

Në rritje janë edhe aksionet e SK Tiranës, 14 herë kampione. Mbas një sezoni zhgënjyes, megjithatë lojtarët e shumtë të rinj të saj, do të jenë më të pjekur. Ata do të drejtohen nga “ujku i vjetër” Enver Shehu, me të cilin 17 Nëntori, siç quhej atëherë, fitoi dy kampionate në vitet 1980.

Edhe Partizani, klubi i parë i sponsorizuar në krejt historinë e futbollit shqiptar, do të mbështetet te të rinjtë. Do ta drejtojë i sprovuari Sulejman Starova, i parashikuar si trajneri i së ardhmes nga kritika e specializuar. E paqartë e ardhmja e Flamurtarit, klubi që u paraqit më së miri në Kupat europiane. Skuadra ka ndryshuar krejtësisht fytyrë. Të gjithë lojtarët më të mirë kanë shkuar jashtë atdheut.

Problematike paraqitet gjendja e Teutës dhe e Besës. Kjo e fundit ka mbetur pa bomberin njëzetenjëvjeçar, Altin Rraklli, golashënuesi i katërt europian në vitin 1991, i cili shkoi për të provuar fatin në Gjermani.

Pa mbështetjen e Ministrisë së Brendshme, megjithatë ka ndryshuar edhe Dinamo e Tiranës, e drejtuar nga Neptun Bajko (“ish” i Partizanit), trajner, i cili ka frekuentuar superkursin e Coverciano-s.

Do të jetë një kampionat i gjatë, shumë i gjatë, ndoshta më i gjatë se çfarë mund të sigurojnë resurset modeste të futbollit shqiptar. Do të jetë një angazhim prej 30 javësh për 16 ekipet pjesëmarrëse. Ndërkaq, bën debutimin e tij në divizionin e parë Sopoti i Librazhdit, një qytet në lindje të vendit, ndërkohë që kthehet mbas 17 vjetëve Patosi, një skuadër nga qyteti me të njëjtin emër, ku ndodhet edhe rafineria më e rëndësishme shqiptare. Ky do të jetë edhe kampionati i qyteteve të vogla: Sopoti, Laçi, Kastrioti, Patosi, Pogradeci – anëtarë të një lloj “turneu të të vegjëlve” që kanë si përparësi shpëtimin.

Kështu, më 23 gusht të këtij viti fatthënë 1992, viti kur Shqipëria ka mposhtur komunizmin, fillon kampionati shqiptar Për herë të parë në histori ky do të jetë një turne nën shenjën e demokracisë.

RIBOTIMI I KËTIJ SHKRIMI NUK MUND TË BËHET PA LEJEN E KOMPANISË.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"