Spaleti: Pas Barçës të mos ndalemi, mund të shqetësojmë edhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2018 | 11:00

Spaleti: Pas Barçës të mos ndalemi, mund të shqetësojmë edhe…

Një seri pozitive për t’u ruajtur: 7 fitore radhazi, falë edhe mbrojtjes më “hermetike” të Serisë A (vetëm 6 gola të pësuar në 11 ndeshje), po ashtu si duhet ruajtur vendi i dytë i ndarë me Napolin. Interi synon të vazhdojë momentin pozitiv, por kundër Atalantës sot në orarin e drekës (12:30), nuk do jetë e lehtë. “Fitoret radhazi ishin ato që na nevojiteshin, – ka shpjeguar Luçiano Spaleti -, ky është kampionati i nivelit tonë. Fillimisht e nisëm shumë ngadalë, më pas na u desh të stërmundoheshim për të rikuperuar. Sukseset mbajnë lart vetëbesimin, por duhet të tregohemi të kujdesshëm mos shpërqendrohemi, sepse pas shumë rezultatesh pozitive nuk duhet të tregohemi mendjemëdhenj.

Spaleti

Megjithatë, fitoret nuk të japin avantazh në ndeshjen pasardhëse. Na takon neve të mbajmë lart nivelin e pjekurisë që kemi arritur. Kjo ndeshje duhet parë si vijimësi e Champions-it: fakti që bergamaskët nuk ndodhen mes të parave të klasifikimit nuk ka rëndësi, po “paguajnë” sepse në fillim të sezonit nuk kapitalizuan lojën e tyre. Kanë statistika të mira, ndoshta më pozitive se tonat: në stadiumin e tyre ekzaltohen, kanë forcë fizike dhe psikologjike”.

SKUADRA — Në Bergamo, Spaleti mund të kryejë disa ndryshime: “Për mua është thelbësore që gjithë lojtarët të gjenden gati, – ka shpjeguar trajneri. – Është cilësi e kampionëve të vërtetë, që vendosin përpara të gjithave rezultatin e skuadrës. Marr si shembull Zhoao Marion, Galjardinin e Dalbertin: u duhen bërë komplimente, pas përjashtimit nga lista e Championsit qëndruan solidë. Logjikisht, ata që luajtën kundër Barçës tani janë të lodhur: Brozoviç, veçanërisht në aspektin e minutazhit, ka dhënë shumë. Është ai që lidh lojën në mesfushë. Do shohim nëse është riaftësuar, për ne është një lojtar thelbësor. Për t’u ngjitur në majë të klasifikimit nevojiten më shumë si ai. Borha Valeron e aktivizova një fragment në ndeshjen e kaluar, por qëndroi në fushë pak minuta, ndaj është gati. Naingolanin vështirë se do e kemi. Perisiç? Jemi të lumtur nga Ivani: me aksionet e tij personale arrin të japë një kontribut për golin e të tjerëve, ndaj e zgjedhim thuajse gjithmonë”.

JUVE E MURINJO – Juventusi që humbet me Junajtidin mund të jetë një stimul për sfidantët në Itali? “Juvja është më e forta nga të gjithë, me siguri skuadra që do fitojë titullin. Megjithatë, gjatë një kampionati si Seria A hasen përherë vështirësi, rrugës siguritë mund të shuhen”. Nuk mungoi një polemikë me njërin prej kronistëve (i dërguari i “Tuttosport”, e përditshme torineze), pas pyetjes: “Gjatë eksperiencës suaj si trajner u keni ndërruar rol e pse jo karrierë disa lojtarëve: Pizarro, Perrota, Toti, Naingolan. Por, Brozoviç qëndron në ‘podium’”. Spaleti është përgjigjur “alla Murinjo”, duke thumbuar gazetarin: “Në Torino ju thanë që Pjaniç nuk mund të përmendet? E transformuan të tjerët Pjaniçin? Sipas meje, Miralemi është ai që krijon vërtet idenë e kësaj teme: kur këmbyen rolin me Naingolanin nisi rrëmuja. Dhe tani luan pikërisht në atë rol, por nuk e bëra unë, janë ata që tregojnë se i kanë ato cilësi e karakteristika. Mund edhe të shkëmbehen sërish, janë kampionë”. E në fund u prek pikërisht tema e gjestit të Mout pas JuveJunajtid: “Ai vetë u shpreh se me gjakftohtësi nuk do e përsëriste. Megjithatë, nëse ngacmon luanin, të kthehet me hungërimë… Por, populli interist e mbështeti dhe kjo tregon shumë: do të thotë se respektin e ka merituar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"