Soue “ndërron marsh”: Thellojmë diferencën me rivalët, rëndësi ka të fitojë ekipi, jo golat e mi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2017 | 22:54

Soue “ndërron marsh”: Thellojmë diferencën me rivalët, rëndësi ka të fitojë ekipi, jo golat e mi

Pas kualifikimit në Kupë, Skënderbeu tashmë do të kërkojë që të rikthehet te fitorja edhe në kampionat për të harruar humbjen me Laçin. Në një situatë kur ekipi është 6 pikë para vendit të dytë dhe diferenca bëhet akoma më e thellë me kundërshtarët e tjerë, duket se edhe presioni në kampin bardhekuq nuk është i lartë, si pasojë e kësaj humbjeje.

Rikthimin i Soue është një armë më shumë për të kthyer ekipin te fitorja ndaj Lushnjës. Sulmuesi nga Gambia i Skënderbeut duket se është i përqendruar vetëm te ndeshja e radhës dhe normalisht kërkon që të ndihmojë shokët e ekipit me golat e tij, që deri në këto momente nuk është se kanë qenë të shumtë.

Soue

Soue, çfarë shije ju la humbja e parë në kampionat?

Të thuash të drejtën, humbjet asnjëherë nuk lenë shije të mirë, madje, edhe nëse humbet kur ke zhvilluar një lojë të mirë apo edhe në fund të një sezoni. Aq më tepër tani, në këtë pikë të sezonit, kur çdo trepikësh është më i rëndë- sishëm për të krijuar diferencën nga kundërshtarët.

Një humbje që nuk pritej, çfarë ndodhi atë takim?

Mendoj se është trajneri ai që bën analizën dhe tregon se çfarë e ka penguar ekipin. Gjithsesi, unë mendoj se lodhja dhe mungesat u ndjenë mjaft. Megjithatë, ne patëm edhe rastet tona të mira për të shënuar, por fatkeqësisht topi nuk shkoi në rrjetë.

Tani riktheheni i gatshëm. A ju kanë munguar këto ndeshje që nuk luajtët për Skënderbeun?

Natyrisht që po, është një gjë që çdo lojtar kërkon të luajë të gjitha takimet e mundshme. Por sezoni i ka edhe dëmtimet si pjesë të tij. E rëndësishme është që të kalosh mirë çdo dëmtim të mundshëm dhe të rikthehesh më i fortë dhe më i përqendruar për të bërë mirë për ekipin.

Soue

Tani, ndaj Lushnjës, fitorja është një detyrim apo keni mendim tjetër?

Sigurisht, Skënderbeu çdo ndeshje e ka detyrim për të fituar jo vetëm ndaj Lushnjës, por ndaj çdo ekipi. Kjo, pasi objektivi ynë është që të fitojmë titullin kampion dhe për këtë duhet të ecim në çdo takim me maksimumin e pikëve. Lushnja mbetet një ekip për t’u vlerësuar dhe pritet një ndeshje e fortë, por do të mundohemi që të bëjmë maksimumin për t’u kthyer me tri pikët në Korçë.

Të flasim për paraqitjen tuaj. 4 gola në 13 takime janë pak për një sulmues. Ju si mendoni?

Shpesh e kam dëgjuar këtë pjesën e golave të shënuar nga unë. Një sulmues, është e vërtetë që matet me gola, por edhe me produktivitet në lojë. Nuk jam dakord, nëse themi se loja ime nuk ka qenë e duhura për ekipin apo e kundërta. Mund të them se të gjithë punojmë si grup dhe është synim i të gjithëve që të fitojmë çdo ndeshje. Se kush i shënon golat? Ka shumë pak rëndësi kur arrihet fitorja. Unë personalisht e ndiej që duhet të shënoj më shumë, por për sa kohë ekipi fiton, unë jam i qetë.

soue

5 pikë në 6 takimet e fundit. A duhet të shqetësoheni?

Jo, mendoj që jo. Çdo gjë është në rrugën e duhur. Natyrisht që ngarkesa në Europë do të sillte të tilla rezultate. Tani duhet të tregojmë se jemi sërish ne ata që bëmë atë fazë të parë, ku të gjithë flisnin për ne. Kjo është ajo që unë mendoj, jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu.

Mirë, por tani diferenca ka shkuar në 6 pikë…

Normalisht, që kur ke diferencë më të madhe, je më i qetë, por edhe kaq nuk është keq. Është e mjaftueshme për të marrë me qetësi çdo ndeshje dhe për të kërkuar përqendrim maksimal çdo ndeshje të radhës. Besoj se do të arrijmë të thellojmë më shumë diferencën, kjo edhe për faktin se kemi një ekip të mirë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"