Soue kthehet ambicioz nga Italia: Më kanë thënë që Laçi është ekip i fortë, premtoj gola pa fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 21:12

Soue kthehet ambicioz nga Italia: Më kanë thënë që Laçi është ekip i fortë, premtoj gola pa fund

Ali Soue kthehet nga Italia. Sulmuesi u ka dhënë zgjidhje problemeve me vizën, ndaj pasi ka siguruar lejen e qëndrimit ka marrë avionin dhe ka “zbarkuar” në Shqipëri. Ai, prej ditës së djeshme, u vendos nën urdhrat e Ilir Dajës, duke marrë ngarkesa për ndeshjen e radhës kundër Laçit.

Soue

Italo-gambiani ndihet më në formë se kurrë dhe thekson se shkëputja disa ditore nuk do të ndikojë kurrsesi tek ai. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi nuk ngurron që të bëjë premtimin e radhës. Pasi u zhbllokua në Ligën e Europës, ai hapur e thotë që do të bëjë një “mal” me gola.

“Sot (dje) u ktheva nga Italia. Pasi mbylla çështjen e lejes së punës me sukses, mora direkt avionin për në Shqipëri. Tani jam rikthyer dhe jam plotë- sisht gati për ndeshjen e radhës”, tha fillimisht Soue.

Soue gol Skenderbeu

KUNDËRSHTARI – Sigurisht që nuk e njeh kundërshtarin, megjithatë sulmuesi zbulon se çfarë i kanë thënë shokët për Laçin. “Shokët më kanë thënë që bëhet fjalë për një ekip të fortë dhe jemi të mobilizuar që të bëjmë mirë në këtë ndeshje. Duhet të jemi në maksimum të përqendruar për të bërë një tjetër paraqitje të mirë. Pushimi na ka bërë mirë dhe po na jep dorë që të rifitojmë energjitë. Jemi gati për të vijuar rrugën e nisur në këto 4 javë”, theksoi 23-vjeçari.

soue

KRYESIMI – Më pas, italogambian bëri të ditur se ekipi është duke treguar forcën më të madhe, duke bërë që kryesimi të vijë shumë shpejt në kampionat. “Kryesimi erdhi shumë shpejt për katër javë dhe kemi treguar se dimë të jemi të fortë përballë ekipeve të forta. Të njëjtën gjë duhet të tregojmë edhe në përballjet me ekipet e mesit të tabelës.

Soue Skenderbeu

Kemi marrë kryesimin, është e vërtetë, por është ende java e katërt dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Të bëjmë më të mirën dhe të mundohemi të thellojmë akoma më shumë diferencën me kundërshtarët për të bërë më qetë punën tonë”, vijoi sulmuesi.

 

GOLAT – Pasi ka gjetur golin në Europë, në atë barazim kundër Jang Bojsit, ai flet edhe për objektivat personale, që sigurisht lidhen me golat.

Soue stervitje

“Nuk është problem që dy ditë nuk kam qenë me ekipin në stërvitje për shkak se isha në Itali. Jam në formë dhe ndihem mirë në këtë ekip. Premtoj gola pa fund, madje duke nisur që nga takimi kundër Laçit”, përfundoi prononcimin Ali Soue.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"