Sota: Nuk bëjmë hesapet e të tjerëve, e mposhtim Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2020 | 13:01

Sota: Nuk bëjmë hesapet e të tjerëve, e mposhtim Pogradecin

Apolonia do të kërkojë sot fitoren e pestë radhazi, këtë herë me Pogradecin. I presin në shtëpi dhe mbi të gjitha kanë luksin të luajnë pa presion, derisa një javë më parë kanë siguruar zyrtarisht ngjitjen në elitë. Është kapiteni Eljon Sota ai që flet para këtij 90-minutëshi, ndërsa nuk ngurron që të ndalet edhe te debati i stërgjatë mediatik me Lushnjën.ERJON SOTA

“Ka qenë një sukses i merituar, falë një pune të palodhur gjatë gjithë sezonit dhe për këtë kanë kontribuuar të gjithë, ndaj dhe gëzimi e festa është e përligjur. Ankohen dhe na sulmojnë lushnjarët? Punë për ta, përgjigjen ua dhamë qartë: Superioren e siguruam me fitoren në fushën e tyre. Bëjnë mirë që të mos merren me ne, por të mendojnë për veten e tyre dhe për objektivat e mbetur”, tha fillimisht qendërmbrojtësi.

Ka një perceptim të jashtëm se Apolonia mund të lëshojë në dy ndeshjet e fundit, pasi nuk kanë më motiv. Por mendon kapiteni që të hedhë poshtë çdo hipotezë: “Kur një ekip arrin objektivat sezonalë, mund të lëshojë ndoshta disi në lojë, por kjo nuk është në mentalitetin e Apolonisë.

Nëse dikush do fakte, po ju kujtoj dy sezone më parë, kur ne, edhe pse e kishim arritur objektivin tonë, ndalëm në dy ndeshje radhazi pretendentet kryesore të atij kampionati: 0-0 me Tiranën në Fier dhe 2-2 me Bylisin në Ballsh. Me Pogradecin ne do të luajmë për fitore, sepse duam të vazhdojmë me serinë e rezultateve pozitive dhe nuk duam të bëjmë ‘hesapet’ e të tjerëve. Nuk vuajmë nga asnjë lloj paragjykimi nga të tjerët, kjo është çështja e tyre, jo jona. Ne do të luajmë vetëm për fitore”.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"