Sot, ora 18:45/ Vllaznia e femrave kundër PSG-së në Champions, trajneri Leka: Të bëjmë më mirë se ndaj Çelsit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 9:45

Sot, ora 18:45/ Vllaznia e femrave kundër PSG-së në Champions, trajneri Leka: Të bëjmë më mirë se ndaj Çelsit!

Vllaznia e futbollit të femrave sot në orën 18:45 do të zbresë në fushë për një tjetër takim prestigjioz, teksa do të përballet në transfertë me PSG-në, për sfidën e tretë në Grupin A të Ligës së Kampionëve.

Vllaznia femra

Vajzat kuqeblu kanë zhvilluar dje në mbrëmje edhe stërvitjen e fundit në kryeqytetin francez, e tashmë janë gati për këtë ndeshje luksi. Në konferencën për shtyp të pragndeshjes janë paraqitur trajneri Nikolin Leka dhe kapitenia Esmerarlda Franja.

TRAJNERI – Trajneri i vajzave kuqeblu, sigurisht duke pranuar diferencat mes dy ekipeve, thekson se Vllaznia futet në fushë për të dhënë më të mirën e saj në një kompeticion ku tashmë ka shkruar historinë duke arritur edhe objektivat:

“Janë ndeshje me emocione dhe të një rëndësie të veçantë, pasi nuk mund të përsëriten shumë herë. Duke ditur diferencat mes ekipeve ne kemi ardhur këtu për të shpalosur vlerat tona.

Të luajmë futboll ashtu siç dimë dhe të tregojmë veten. Nëse vajzat do t’i zbatojnë ato detyrat taktike, mendoj se do të bëjmë një ndeshje më të mirë se ajo e me Çelsin”, thotë fillimisht Leka.

Trajneri thekson se të luajturit në këto nivele është një eksperiencë e shtuar:

“Kjo është një përvojë më tepër për ne, të cilën do ta shtojmë në çdo ndeshje. Një eksperiencë që do të na vlejë për vitet në vazhdim. Ne për këtë sezon kemi arritur maksimumin.

E presim me kënaqësinë më të madhe përkrahjen e tifozëve, të cilët kanë qenë të jashtëzakonshëm në mbështetjen që na kanë dhënë”, deklaron Leka.

KAPITENIA – Ndërkohë Esmeralda Franja për sfidën kundër PSG-së ndër të tjera deklaroi:

“Të luash përballë këtyre skuadrave me emër është gjithmonë emocionuese dhe është një privilegj për ne.

E dimë që kemi të bëjmë me lojtare me nivel shumë të lartë, por ne do të japim maksimumin që të marrim eksperiencë dhe brenda 2-3 vitesh t’i rivalizojmë.

Do të përpiqemi që të jemi sa më shumë vigjilente në fushë dhe të zbatojmë detyrat që na ka dhënë trajneri.

Emri i rivalëve të emocionon dhe të bënë të stepesh pak, por kur fillon loja emocionet ikin dhe është si të gjitha takimet e tjera”, shprehet Franja.

Kujtojmë që kjo do të jetë ndeshje e tretë në grup për Vllazninë, teksa në dy sfidat e mëparshme vajzat kuqeblu fillimisht u mundën 0-2 në Shkodër nga Reali i Madridit, ndërsa më pas humbën 8-0 në Londër përballë Çelsit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"