Sormani “kursen” klubin, ja plani “B” i Partizanit për zëvendësimin e Asanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 12:36

Sormani “kursen” klubin, ja plani “B” i Partizanit për zëvendësimin e Asanit

Trajneri Adolfo Sormani ka pasur dy kërkesa në lidhje me merkaton e dimrit për drejtuesit e klubit, në momentin që mori drejtimin e Partizanit. Afrimi i një qendërsulmuesi, ose thënë ndryshe një bomber, dhe zëvendësi i Jasir Asanit, i cili është larguar në huazim me të drejtë blerjeje tek AIK Stokholm. 

PARTIZANI

Në lidhje me nevojat që ka klubi në këtë merkato, mësohet se stafi i ri teknik ka kërkuar si fillim të vlerësohet grupi aktual dhe pasi të jenë të bindur për cilësitë e gjithsecilit, do të vendoset për hyrje-daljet. Dorian Kërçiku është përforcimi i vetëm deri në këto momente, ku ish-lojtari i Tiranës ka blinduar krahun e djathtë të mbrojtjes.

Drejtuesit e merkatos së kuqe janë vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesat e trajnerit, ku gjatë kësaj periudhe stërvitore në Antalia po provohen disa kandidatë. Seancat e zhvilluara në Turqi mund të bëjnë që trajneri Sormani të ndryshojë mendje. Në skenë ka dalë një plan ekonomik për klubin, duke besuar më shumë te lojtarët që ka gjetur në ekip, kryesisht tek ata që janë angazhuar më pak me ish-trajnerin Lerda.

Partizani

Zëvendësimi i Jasir Asanit dhe zgjidhja e golit mund të gjenden brenda familjes, duke mos bërë shpenzime. Gjatë kësaj periudhe në Antalia, trajneri Adolfo Sormani ka vënë në zbatim një plan B, që të mos gjendet i papërgatitur në rast se klubi nuk gjen lojtarët e duhur për postet që ai ka kërkuar. Trajneri italian do lojtarë që të bëjnë diferencë me ata që ka, përndryshe do të besojë te grupi.

Formacioni i mundshem Partizani

Një nga risitë e trajnerit Sormani është edhe ndryshimi i skemës së lojës, ku më së shumti janë aplikuar modulet 4-2-3-1 dhe 4-4- 2. Gjasat janë që 54-vjeçari të luajë me dy sulmues të deklaruar dhe gjatë kësaj periudhe ai ka praktikuar dy dyshe sulmuese,  Bardhi-Braun dhe SolomonEkuban. Pra, ndryshimi te Partizani i pjesës së dytë të sezonit mund të gjendet brenda familjes, ku Braun dhe Ekuban do të jenë më të angazhuar, në rast se nuk gjendet bomberi i shumëkërkuar dhe zëvendësi perfekt i Asanit.

Partizani5

Me afrimin e Dorian Kërçikut krahu i djathtë i mbrojtjes shikohet i kompletuar, duke garantuar më shumë siguri në praktikimin e skemës me 4 mbrojtës. Kthimi i besimit tek Amir Bilali është një tjetër aspekt i planit B të merkatos për përforcimin e qendrës së mbrojtjes.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"