Sokol Cikalleshi drejt Koresë së Jugut, kavajasi është largimi i parë nga Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2012 | 11:07

Sokol Cikalleshi drejt Koresë së Jugut, kavajasi është largimi i parë nga Tirana

Sokol Cikalleshi mund të konsiderohet si zyrtarisht i larguari i parë nga Tirana. Lojtari, i cili ishte në formë huazimi te bardheblutë, nuk ka preferuar të vazhdojë kontratën me klubin kryeqytetas. Kjo, edhe për disa arsye, të cilat lidhen jo vetëm me klubin mëmë, Besën e Kavajës, por edhe me ofertat e shumta që kanë shkuar në drejtim të tij. Në finalen e Kupës së Shqipërisë, të cilën Tirana e fitoi ndaj Skënderbeut, Cikalleshi është ndjekur nga disa menaxherë, por jo vetëm. Në mesin e tyre, të pranishëm në “Qemal Stafa” kanë qenë edhe dy zyrtarë të klubit nga Korea e Jugut, Suvon Samsung Blueuings. Kjo skuadër luan në Ligën e Parë koreane dhe aktualisht, kur janë luajtur vetëm 14 javë kampionat, renditet e dyta me 29 pikë: 9 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Madje, menaxheri i këtij klubi, shoqëruar me dy drejtues dhe menaxherin serb të Cikalleshit, e kanë ndjekur me shumë interes finalen dhe në fund duket se kanë mbetur të kënaqur, ndaj kanë nisur edhe bisedimet.
Bisedimet – Prej gati një muaji presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili (i cili ka kartonin e Cikalleshit) dhe vetë lojtari, kanë pasur kontakte të vazhdueshme. Burime pranë presidentit kavajas bëjnë me dije se ky i fundit ka qenë në Kore para pak ditësh dhe ka fiksuar edhe një çmim për kartonin e lojtarit, i cili varion nga 250 mijë deri në 300 mijë euro. Bizhdili kërkon ta shesë me çdo kusht Cikalleshin në merkaton e kësaj vere, kjo edhe për faktin se atij i përfundon kontrata vitin tjetër dhe ka rrezik që më pas të largohet nga Shqipëria me parametër zero. Në këtë këndvështrim mësohet se është krijuar mundësia që Cikalleshi të udhëtojë vetë drejt Koresë së Jugut më 4 qershor, ku edhe pritet të mbyllë kontratën me këtë klub. Sakaq, mësohet se edhe lojtari ka mbetur parimisht i kënaqur nga oferta (rroga) që i kanë bërë koreanët. Kujtojmë se te kjo skuadër ka luajtur në sezonin 1996-1997 edhe një ish-lojtar i Kombëtares, Adnand Ocelli, i vetmi shqiptar deri tani që ka luajtur në kampionatin korenao-jugor.
Alternativat – Veç koreanëve, për kavajasin ka pasur sinjale edhe nga Rumania dhe Ukraina. Madje, po në finalen e 17 majit, ka pasur menaxherë, të cilët e kanë ndjekur nga afër paraqitjen e vetë lojtarit. Sidoqoftë, gjithçka varet nga oferta që deri tani, sipas informacioneve, nuk kanë qenë aq të majme si ndaj Cikalleshit dhe ndaj klubit kavajas. Në këtë këndvështrim me shumë gjasa Sokol Cikalleshi do të fokusohet tek oferta e koreanëve dhe në fillim të qershorit pritet të firmosë kontratën për këtë klub. Ndërkohë, kujtojmë se në Superiore lojtari është kërkuar edhe nga Flamurtari, por ai ka konfirmuar se në Shqipëri do të preferonte që të luante veçse për Tiranën.

Pushimet, ekipi mblidhet në qershor
Te Tirana ka pllakosur heshtja, pasi gjithë skuadra (ajo që ka mbetur) është me pushime. Sipas informacioneve pritet që në qershor ajo të rimblidhet dhe të nisin planet për Kupat e Evropës. Për bardheblutë, merkatoja teorikisht duhet të fillojë nga pankina për të kaluar pastaj te skuadra. Zëra ka shumë, por emra konkretë akoma jo. Ndërkaq nuk dihet ende data e saktë se kur do të startojnë përgatitjet për Ligën e Evropës dhe se cili do të jetë në krye të pankinës, duke qenë se Rubio me 99 për qind nuk do të jetë më te Tirana për shkak të kërkesës së madhe financiare. Në këtë këndvështrim, problemi përpara se të fillojnë përgatitjet për sezonin e ri qëndron tek emërimi i një trajneri dhe më pas bërja e programit për fazën përgatitore.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"