“Sofra dibrane”, mirënjohje për veteranët e mundjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2014 | 14:30

“Sofra dibrane”, mirënjohje për veteranët e mundjes

Sofra dibraneNjë nismë e përbashkët e Shoqatës Kombëtare të Mundjes, klubit sportiv Korabi, Federatës Shqiptare të Mundjes dhe Bashkisë së Peshkopisë ka nderuar në një ceremoni gala veteranët e mundjes që kanë përfaqësuar ekipin e Korabit. Kupa, pllakat mirënjohjeje, diploma dhe medalje janë rezervuar për të gjithë sportistët, që kanë kontribuar në promovimin e sportit në vite. Mes shumë të vlerësuarve në panel ishin Xhemal Skara, Fiqiri Rama, Skënder Rama, Rasim Shira, Mentor Tharasani, Reiz Hoxha, Asllan Osmani, Ismet Sula, Hiqmet Elezi, Emirjan Huna, Sokol Muho etj. I pranishëm në takimin e organizuar në pallatin e sportit “Bashkim Lala”, sekretari i përgjithshëm i Federatës, Ndriçim Spahiu, është nderuar gjithashtu nga organizatorët me pllakat mirënjohjeje. Njëherësh në emër të Federatës, sekretari Spahiu ka vlerësuar kryebashkiakun Ilir Krosi për angazhimin e tij maksimal në zhvillimin e sportit të mundjes. Veç nderimeve të panumërta për të mirënjohurit ndër vite të mundjes dibrane, u zhvillua edhe kupa “Korabi” për moshat me pjesëmarrjen e ekipeve të Peshkopisë, Gollobordës, Kukësit dhe Burrelit. Nën një konkurrencë të fortë mes perspektivës së mundjes shqiptare me vendin e parë u kurorëzua skuadra vendëse. Pjesë e “Sofrës Dibrane”, kësaj here e gjitha në sport, ishin edhe shumë figura të këtij sporti elitar, si Iljaz Guri e Ibrahim Kovaçi. Nga viti i themelimit 1949 e deri më sot, mundësit e ekipit të mundjes Korabi i kanë dhënë tonin kësaj disipline. Me këtë rast u çel edhe një ekspozitë fotografike të mundësve të Korabit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"