“S’mund të ndalojmë së jetuari”, Luiza Gega e zhgënjye: Të veprohej si me kampionatet e futbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2020 | 21:38

“S’mund të ndalojmë së jetuari”, Luiza Gega e zhgënjye: Të veprohej si me kampionatet e futbollit

Tepër e inatosur për anulimin e Kampionatit Europian të Atletikës është edhe Luiza Gega. Kampionia e atletikës shqiptare po zhvillonte një fazë përgatitore intensive në Kenia, ku prej dy muajsh ndodhej në shtetin afrikan.

luiza gega

Gega, e cila disa muaj më parë regjistroi rezultatin historik në Kampionatin Botëror, duke u renditur e nënta në finale, po gëzonte një formë mjaft të mirë dhe kishte pritshmëri të larta në Europianin e Parisit. Në një postim në rrjetet sociale, Luiza Gega shprehu indinjatën e saj për këtë vendim. Ja deklarata e plotë e saj:

“Ndihem shumë e inatosur me këtë vit në këto momente. Unë e kuptoj situatën e vështirë sepse të njëjtën gjë ashtu si të gjithë po e kaloj dhe unë. Por personalisht nuk mendoj që bota duhet të ndalojë së jetuari, mendoj se nuk është kjo zgjidhja. Sigurisht që duhen marrë masa që kjo situatë të jetë sa më e lehtë, por jo të shkatarrojnë çdo gjë që shumë nga ne kanë punuar fort çdo ditë të vetme për të.

Në shumë vende kampionati i futbollit do të fillojë së shpejti, shumë personave mund t’u duket jo e drejtë, por unë jam plotësisht dakord me këtë. Shumë sportistë në botë, sportin përveç pasionit e kanë edhe punë sepse me të jetojnë, nga këto aktivitete paguhen, kanë kontratat me sponsorët etj.

luiza gega

Pra, gjërat janë shumë më të ndërlikuara sesa duken nga ata që e shikojnë nga jashtë sportin. Ndoshta jam pak e revoltuar për momentin sepse sapo u anulua dhe aktiviteti i dytë më i rëndësishëm për këtë vit pas shtyrjes së Lojërave Olimpike. Sigurisht që për Lojërat Olimpike jam shumë dakord, sepse është aktiviteti më i madh në botë dhe me një trysni të tillë nuk mund të jetë fokusi te Lojërat Olimpike.

Por Kampionati Europian i Atletikes është diçka tjetër, e mirëkuptoj shtyrjen, por jo anulimin. Gjithsesi, do të vazhdoj të punoj fort dhe të qëndroj pozitive, sepse viti 2021 vjen shumë shpejt”, shkruan kampionia kuqezi e distancave të mesme. Theksojmë se Luiza Gega dhe peshëngritësi Briken Calja janë të vetmit sportistë të Shqipërisë, që kanë arritur të sigurojnë kualifikimin me normë për në Lojërat Olimpike.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"