Smajli firmos në Kukës: Dua të fitoj titullin. Dragoi takon Gjicin, pritet firma e rumunit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2013 | 8:59

Smajli firmos në Kukës: Dua të fitoj titullin. Dragoi takon Gjicin, pritet firma e rumunit

smajli-ben-me-doreDritan Smajli është zyrtarisht futbollist i Kukësit. Mbrojtësi lezhjan i krahut të djathtë ka hedhur firmën dje në drekë pas takimit me presidentin Safet Gjici, duke zyrtarizuar kështu blerjen e parë të këtij klubi në merkato. Palët janë shprehur të kënaqura për kontratën e arritur. Smajli do të dalë në stërvitje menjëherë sapo ekipi të kthehet nga Ukraina. Për lojtarin, Kukësi në fakt është një dashuri e vjetër. Tre muaj më parë ai ishte në bisedime me klubin, por një parakontratë me Flamurtarin e dërgoi në Vlorë. Sidoqoftë, tani vendosi të jetë pjesë e ekipit verior, apo siç e quan shtëpia e tij. Fillimisht Smajli është takuar me Gjicin, ku nuk kanë munguar edhe shakatë e rastit për rikthimin e tij, apo bisedat për zhvillimet te Flamurtari. Urimin e parë mbrojtësi e ka bërë për ecurinë e mirë të Kukësit në Ligën e Europës. Biseda kokë më kokë mes tij dhe presidentit ka zgjatur një orë dhe më pas të dy kanë pirë një kafe e kanë nënshkruar kontratën 1-vjeçare. Palët kanë preferuar që shumën të mos e bëjnë publike.
Firmosët për Kukësin, si ndiheni, keni pasur një verë të trazuar transferimesh?
Unë jam kthyer në shtëpinë time. Kështu e konsideroj këtë ekip, edhe pse nuk kam luajtur me të. Ecuria e tij më ka kënaqur, por dhe krijimi i grupit, korrektësia e presidentit dhe mbi të gjitha vij tek një ekip që është në turin e tretë të Ligës së Europës. Jam shumë i kënaqur me kushtet e ofruara. Shumicën e lojtarëve i njoh dhe i kam miq, po ashtu edhe stafin teknik.
Cilët janë objektivat?
E di përgjegjësinë e madhe dhe peshën që ka aktualisht fanella e Kukësit. Di dhe objektivin për të dalë kampion. Unë e falënderoj presidentin Safet Gjici për besimin e treguar dhe vlerësimin që më bën. Jam i bindur se në fund të sezonit do kemi rezultate të shkëlqyera. Dalja e Kukësit në Kupat e Europës është fantastike. Uroj që ekipi im tashmë të kthehet nga Ukraina i kualifikuar. Unë do jap gjithçka nga forca, shpirti dhe talenti im për të.
Erdhët nga Vlora, ndërkohë që u përfolët se do riktheheshit në Shkodër…
Jam larguar nga Vllaznia pas pesë vitesh shumë të mira të karrierës sime. Më pas shkova te Vlora për një besë dhënë presidentit Gjika. Ndodhi ajo që tashmë të gjithë e dimë. Për këtë më vjen shumë keq. Uroj që Gjika dhe Flamurtari ta kalojnë këtë situatë, por unë nuk dua të flas shumë, sepse tashmë jam lojtar i Kukësit. Në fakt, te Vlora isha jozyrtarisht, por për fjalën e dhënë stërvitesha aty. Kam ardhur edhe para tre muajsh te Kukësi, por ajo besë më dërgoi në Vlorë. Megjithatë, jam shumë i kënaqur që e zgjidha shumë shpejt me Gjicin.
Si e shikoni të ardhmen e Kukësit?
Unë jam profesionist dhe kudo që luaj, jap maksimumin. Te Kukësi do të jetë kulmi i karrierës sime. Di që Kukësi ka tifozeri të zjarrtë. Di që është klubi më korrekt në Shqipëri për sa u përket pagave, kushteve të trajtimit dhe stërvitjes. Ka një grup të shkëlqyer lojtarësh dhe një staf profesionist. Të gjitha këto të bëjnë të besosh fort se rezultatet nuk do mungojnë. Në fakt, ecuria është e jashtëzakonshme.
Pas tri javësh nis sezoni i ri. Si e mendoni kampionatin e ardhshëm?
Besoj se do të ketë edhe ndonjë lojtar tjetër që do vijë nga Flamurtari, megjithatë gjithkush zgjedh atë që mendon se është më e mirë për të. Mbi të gjitha, di të mbaj fjalën kur e them. Do shohim një sezon të paparë te Kukësi. Nga ana tjetër, uroj që edhe Flamurtari t’i kapërcejë problemet dhe Superiorja të bëhet edhe më e fortë. E di që sivjet do ketë një garë të fortë sportive.

Dragoi me FlamurtarinDragoi takon Gjicin, pritet firma e rumunit
Përpara se mbrojtësi lezhjan Dritan Smajli të nënshkruante kontratën 1-vjeçare me Kukësin, në ambientet e klubit ka mbërritur edhe mesfushori Kristian Dragoi. Rumuni së bashku me menaxherin e tij kanë biseduar për rreth një orë në kafe me presidentin kuksian, Safet Gjici. Bisedimet duket se kanë qenë të frytshme, pasi kanë lënë një shije të mirë te Gjici, i cili ka lënë të kuptohet se në ditët në vijim do të ketë një tjetër seancë bisedimesh me Dragoin. Shenjat janë të mbara se edhe ky lojtar do firmosë me Kukësin. Emri i Kristian Dragoit është lakuar edhe vjet në fillim të sezonit kur ai iku nga Kastrioti, por që transferimi i tij në atë kohë nuk u bë i mundur. Rumuni pëlqehet nga kuksianët për shpejtësinë dhe volumin e lojës që zhvillon. Pritet që pas disa ditësh të zyrtarizohet edhe Dragoi te Kukësi pasi të firmosë kontratën. Deri dy ditë më parë, mesfushori rumun ishte pjesë e Flamurtarit, por pas zhvillimeve të fundit në klubin vlonjat, rumuni ishte një prej futbollistëve që u largua. Përpara se të pranonte ofertën e Flamurtarit, Dragoi ka qenë në shënjestër edhe të disa klubeve të tjera të Superiores. Por, duket se tashmë rumuni e ka një ide më të qartë në kokën e tij se ku duhet të shkojë pasi u largua nga vlonjatët. Duket se Kukësi do të jetë ekipi i tij i ardhshëm.

Gjici Safet ne TalinGjici: Ky është vetëm fillimi, për kualifikim në Ukrainë
Në lidhje me nënshkrimin e Dritan Smajlit me Kukësin, presidenti i skuadrës verilindore, Safet Gjici, shprehet: “Jam shumë i kënaqur që e fillojmë merkaton më Smajlin. Kam besim se ai do t’i shërbejë fort ekipit. Ne marrim një mbrojtës, sepse duam që të kemi në dispozicion lojtarë cilësorë që i shërbejnë grupit. Kemi aktivitet të ngjeshur dhe disa prej lojtarëve nuk kanë asnjë shkëputje nga ndeshjet. Dihet që kjo është shumë e lodhshme. Smajli është lojtar që unë e pëlqej. Ky është fillimi, por shpejt do ketë edhe kontrata të tjera. Gjithsesi, nuk dua t’i bëj të njohur emrat sot. Te grupi aktual i lojtarëve nuk ka kurrfarë xhelozie për afrimet e reja. Ky grup që është aktualisht e ka rifirmosur i tëri kontratën e re me mua pas rezultateve të shkëlqyera në Superiore dhe sidomos në Kupat e Europës. Nga njëra anë po stërvitemi për në Kupat e Europës, nga ana tjetër po bëjmë edhe merkato duke mos pasur kohë për fjalë të shumta, por vetëm për vepra e mbështetje për ekipin, i cili këtë vit të jetë edhe kampion i vendit”, – thotë kreu i Kukësit. Në lidhje me ndeshjen e kthimit ndaj Metalurgut dhe çështjen e kualifikimit, Gjici komenton: “E them me bindje se shanset për t’u kualifikuar janë 56%. Por nuk duhet të shkojmë atje euforikë. Duhet të tregohemi të matur. Kundërshtari është i fortë, megjithatë nuk kemi ndërmend të ikim për xhiro. Ne shkojmë për kualifikim dhe do kthehemi të kualifikuar”, – përfundon prononcimin e tij Safet Gjici.

Lukas Malakarne drejt riaftësimit
Qendërmbrojtësi Lukas Malakarne po u nënshtrohet seancave intensive për t’u rehabilituar për ndeshjen e radhës në Ukrainë. Një staf i specializuar për dëmtime të tilla po kryen ekzaminime intensive, por ndërkohë ka dhënë garanci se ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit ndaj Metalurg Donetskut. Stafi shpreson që të paktën ai të luajë në pjesën e parë. Malakarne u dëmtua në ndeshjen e parë në Tiranë dhe mjekët thanë se i duhen të paktën 10 ditë pushim. Por, me sa duket, tani është i domosdoshëm për këtë takim, ndaj dhe është vendosur që të ketë trajtim mjekësor intensiv. Madje, sot ai do të dalë në stërvitje. Argjentinasi shënoi golin e parë në fitoren 2-0 ndaj Metalurgut.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"