Skuadra që siguroi rikthimin në Superiore nis me rinovimet, braziliani i mesfushës firmos për tre vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2022 | 14:41

Skuadra që siguroi rikthimin në Superiore nis me rinovimet, braziliani i mesfushës firmos për tre vite

Bylisi e ka nisur ndërtimin e skuadrës së Superiore nga një prej xhevahirëve të saj në dy sezonet e fundit.

LORAN

Bëhet fjalë për brazilianin Loran de Oliveira Kuintanila, që erdhi në pjesën e dytë të sezonit 2020-2021 dhe ishte nga më të spikaturit edhe kur ekipi militonte në Superiore.

Loran në elitën e futbollit shqiptar ka luajtur si mesfushor para mbrojtjes, ndërsa këtë sezon në Kategorinë e Parë, është aktivizuar në linjën e majtë, qoftë në mbrojtje dhe mesfushë.

Pas ofertës së klubit, Loran është bindur që të jetë pjesë e mallakastriotëve edhe për tri sezone të tjera. 26-vjeçari është në kulmin e karrierës dhe shihet si një pikë e fortë edhe për skuadrën që do të jetë në Superiore për sezonin 2022-2023.

Për më tepër, ai e njeh mirë ambientin në Ballsh dhe nivelin e kampionatit shqiptar. Plot 26 ndeshje dhe 2303 minuta numëron Loran me mallakastriotët e Jeton Beqirit në sezonin e fundit.

Të shtunën në mesditë ai ka mbyllur çdo detaj me presidentin Besnik Kapllanaj sa i përket rinovimit të kontratës. Klubi bëri një njoftim edhe në faqen zyrtare në rrjetet sociale. “Merkatoja e skuadrës sonë nis me rinovimin e një nga lojtarëve më të spikatur dhe më shumë të aktivizuar te Bylisi.

Pasi kaloi dy sezone shumë të mira, braziliani Loran, i cili realizoi edhe 4 gola, do të vijojë të jetë pjesë e jona edhe për tri sezone të tjera. I dashuruar me Shqipërinë dhe i mirëpritur e i respektuar në klubin tonë, Loran do të jetë një nga themelet e projektit të ri të Bylisit të Superiores. Suksese kampion”, citohej në njoftimin e klubit.

Edhe pse sapo ka përfunduar kampionatin, ku Bylisi u shpall kampion për herë të 5-të në Kategorinë e Parë, presidenca ka nisur nga puna me lëvizje konkrete. Ballshiotët kanë lënë të lirë Carkanjin, por kanë rinovuar me Loran, ndërsa në ditët në vijim priten të tjera zhvillime.

Klubi këto ditë ka qenë i angazhuar që të mbyllen në mënyrën më të mirë të mundshme edhe garat e dy ekipeve të akademisë, U-19 dhe U-21, me këtë të fundit që është thuajse kampion për të dytin sezon radhazi.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"