Skuadër për titull, te Teuta besojnë se mund të jetë sezoni i tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2020 | 16:56

Skuadër për titull, te Teuta besojnë se mund të jetë sezoni i tyre

Humbja e thellë ndaj Granadës në “Niko Dovana” nuk mund të bëhej dramë te durrsakët, duke ditur vlerat e ekipit spanjoll të La Ligës. Keqardhja e vetme është pikërisht fakti se u pësuan gola të evitueshëm, ndërsa mbrojtja gaboi më shumë se në çdo ndeshje tjetër. Megjithatë, synimi parësor i klubit për të kaluar të paktën një tur në Ligën e Europës u realizua këtë edicion, teksa Teuta eliminoi Beitar Jeruzalemin.

Teuta

Të ardhurat e klubit prej bonusit prej 500 mijë eurosh nga UEFA janë një garanci më shumë për të vazhduar investimin e nisur që prej përfundimit të sezonit 2019-2020. Drejtuesit e klubit durrsak, me në krye Edmond Hasanbelliun dhe Ardian Bardhin, janë të bindur se skuadra mund të jetë e denjë për titullin kampion në sezonin e ri. Afrimet në merkato u japin të drejtë krerëve të klubit, prandaj dhe skuadra e drejtuar nga Edi Martini ka tashmë një mision të vështirë, por jo të pamundur për t’u realizuar.

Pasi u ruajt grupi i sezonit të kaluar në masën 80%, teksa largime “big” mund të konsiderohen vetëm Sherif Kallaku dhe Arbër Çyrbja, klubi bëri afrime shumë të rëndësishme. Sulmuesi Blerim Krasniqi dhe mesfushori Erando Karabeci mund të quhen dy goditje në merkato, ndërsa nuk mbeten pas emra si Asion Daja, Aldrit Oshafi, Denis Pjeshka apo braziliani Iran Gonçalves. Ky i fundit luan në pozicionin e Kallakut, por vlerat e tij ende nuk janë parë dhe gjithçka do të shihet gjatë kampionatit.

MARTINI – Vetë trajneri Edi Martini ka deklaruar se pret edhe një dhuratë nga klubi, pikërisht në pozicionin ku luante Kallaku. Pas ndeshjes me Granadën, i pyetur për planet që ka në prag të kampionatit, shkodrani i pankinës durrsake deklaroi se paraqitja e mirë në sezonin e fundit është një shtysë më tepër për të synuar gjëra më të mëdha.

“Kemi kohë për fillimin e kampionatit, duhet të fokusohemi fort atje. Shpresojmë të gjejmë edhe disa lojtarë të tjerë dhe të jemi aty ku duhet. Nuk e quaj të mbyllur merkaton, por 90% është e realizuar. Presim, pse jo, edhe dy goditje të fundit, pasi do guxojmë më tepër këtë sezon. Këta djem e kanë rritur stekën dhe pas kampionatit të mirë që bëmë në sezonin e fundit, mendoj që e kanë çuar veten që të mendojnë për më tepër”, është shprehur numri një i Teutës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"