“Skënderbeu pa eksperiencë, por mbijetesën nuk do e diskutojë”, ish-mesfushori Tërpo: Me Kukësin do të reagojnë patjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2024 | 21:01

“Skënderbeu pa eksperiencë, por mbijetesën nuk do e diskutojë”, ish-mesfushori Tërpo: Me Kukësin do të reagojnë patjetër

Pas humbjes me Teutën, në Korçë është momenti për të analizuar deri në detaje gjithçka. Humbje kjo që jo vetëm zhbëri gjithçka për sa i përket fitores me Tiranën, por mbi të gjitha futi sërish në ujërat e mbijetesës ekipin korçar.

Ilia Terpo

Ndaj edhe për këtë, situata duket se rinis nga zero me Skënderbeun që duhet të reagojë dhe të tregojë cilësitë e tij në ndeshjen e radhës. Për ish-futbollistin e Skënderbeut, Ilia Tërpo, luhatjet nga njëra ndeshje në tjetrën vijnë edhe për shkak të mungesës së eksperiencës së korçarëve me një ekip të ri në përbërje, por edhe për shkak se kampionati këtë sezon është shumë i luftuar dhe diferencat mes ekipeve janë jo shumë të dukshme.

“Vijmë nga një fitore e madhe ndaj Tiranës te një humbje e shëmtuar ndaj Teutës dhe normalisht që kjo shkakton pak problem jo vetëm në ekip, por edhe në opinionin sportiv. Unë mendoj se Skënderbeu vuan mjaft mungesën e eksperiencës së lojtarëve. Janë të rinj të talentuar dhe kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi, por eksperienca e pakët në të tilla nivele i penalizon në menaxhimin e presionit dhe zgjidhjen e situatave delikate në një ndeshje, apo në një rrugëtim të shkurtër nga ndeshja në tjetrën.

Ndaj nuk mund të gjykoj një humbje të tillë megjithëse ekipi ishte inekzistent në fushë dhe pati shumë gabime. Nga ana tjetër, është një situatë komplekse pasi diferencat mes skuadrave në këtë kampionat janë shumë të vogla.

Këtë e faktojnë edhe rezultatet që kanë prodhuar gjithë këto javë. Nuk kemi një ekip që të diktojë dhe ekipe që janë dobët në anën tjetër. Por kemi ekipe që mund të nxjerrin javë pas jave rezultate deri diku surprizë”.- theksoi fillimisht ish-mesfushori i Skënderbeut.

REAGIMI – I ndalur më pas te kampionati, Tërpo nuk mendon se korçarët rrezikojnë mbijetesën në këtë sezon pasi cilësitë shkojnë përtej këtij objektivi. Ai është i bindur se reagimi është i detyrueshëm në ndeshjen e radhës ndaj Kukësit, ekip që i ka hapur shumë probleme skuadrës në dy përballjet e deritanishme.

“Sa i takon mbijetesës nuk mendoj se Skënderbeu është një ekip që përfshihet në këtë garë. Objektivat dhe cilësitë e korçarëve shkojnë përtej këtij pozicioni. Pas një humbjeje të tillë është i rëndësishëm reagimi dhe ky reagim është detyrë shtëpie ndaj Kukësit. Por, normalisht është një nga ato ndeshje ku korçarët duhet të bëjnë kujdes të madh.

Kukësi i ka marrë katër pikë Skënderbeut në këtë sezon. Një humbje në shtëpi dhe një barazim me përmbysje pas avantazhit 2-0. Të gjitha këto duhet të kthehen në mësim për ekipin dhe të menaxhojnë si duhet ndeshjen. Unë jam i mendimit që Skënderbeu e kalon Kukësin dhe reagimi vjen që në këtë takim”.- përfundoi ish-futbollisti i Skënderbeut, Ilia Tërpo në prononcimin e tij për gazetën.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"