“Skaneri” i Ahmatajt: Dinamo më bind, por pretendente kryesore për titull është Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 23:07

“Skaneri” i Ahmatajt: Dinamo më bind, por pretendente kryesore për titull është Tirana

Me Dinamon është shpallur kampion në 2002-shin, ndërsa me Tiranën ka fituar Kupën dhe Superkupën, madje ka qenë për pak kohë edhe trajner i bardhebluve. Julian Ahmataj është një nga emrat e njohur të futbollit shqiptar në dekadat e fundit si lojtar dhe tani si trajner.

julian ahmataj

Në kryeqytet ka luajtur fillimisht me Dinamon, duke qenë pjesë e trios elbasanase të saj, bashkë me Arian Pishën dhe Ilir Qorrin. Pastaj luajti edhe për ekipe të tjera si Teuta, Tirana, Elbasani dhe Tirana. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Ahmataj “skanon” blutë dhe bardheblutë. Ai përshëndet rikthimin e Dinamos dhe projektin e saj, ndërsa Tiranën e vlerëson si kandidaten kryesore për titull.

Ahmataj, Dinamo dhe Tirana janë dy ambiente që ju i njihni mirë. Le ta nisim nga blutë, çfarë mendoni për rikthimin në elitë pas 9 vitesh?
Dinamo ka bërë një rikthim të bujshëm në futbollin shqiptar. Mungonte prej shumë kohësh dhe me sa kemi mësuar, te ky klub ka një sponsorizim serioz. Kur ka një sponsorizim të madh dhe serioz, patjetër që rezultatet do të vijnë. Tani është ende fillimi dhe mendoj se ka bërë një skuadër të mirë.

Por, ka pasur luhatje të forta në këto javë të para të sezonit, në lojë dhe rezultate…?
Po, ka pasur, por këto janë deri diku normale për një skuadër të formatuar nga e para. Duhet kohë që ekipi të konsolidohet dhe pastaj të synojë të arrijë rezultatet maksimale. Pastaj, te Dinamo ka edhe shumë lojtarë të rinj të talentuar, që janë në rritje, kështu që skuadra do të përmirësohet me kohën. Në të tilla raste qëllimi është që nga skuadra që krijon, një 60% apo 70% e lojtarëve të bindin dhe pastaj, me ndërhyrjet që bëhen në merkaton e dimrit apo dhe në verë, grupi të kompletohet dhe të jetë më kompetitiv.

I keni ndjekur dy derbet mes tyre, në Kupë dhe në kampionat?
Po, i kam ndjekur këto dy derbe. Kanë qenë dy ndeshje të ndryshme. Në të parin Tirana nënvlerësoi pak, sikur e mori lehtë dhe Dinamo arriti ta fitonte ndeshjen, duke qenë më e përqendruar dhe më e motivuar. Në derbin e kampionatit, pastaj, Tirana mblodhi forcat, kërkoi revanshin dhe ia doli të fitonte me atë rezultat të thellë.

Çfarë mendimi keni për Tiranën, që në kampionat ka krijuar një shkëputje me pikë? A mund të themi që tani se është pretendente kryesore për titullin?
Tirana ka qenë gjithmonë mes kandidateve kryesore për titullin, pavarësisht se në 10- vjeçarin e fundit nuk ka bërë shumë mirë. Ajo që mund të them me bindje është se ka një kontigjent shumë të mirë futbollistësh. Ka lojtarë të Kombëtares, me kualitet dhe me shumë përvojë. Kjo e dalloi edhe në derbin e kampionatit me Dinamon, ku një pjesë e mirë e titullarëve të Tiranës bënë diferencën, falë cilësive dhe eksperiencës që kanë. Kurse Dinamo ka lojtarë të talentuar, por u mungon eksperienca për të përballuar të tilla sfida.

Derbet e kohës suaj si futbollist, sikur ishin më të forta dhe më burrërore, ku ndryshojnë nga ato që luhen tani në kryeqytet?
Ishin vërtet derbe të forta dhe të bukura. Në atë kohë, në fakt, të gjithë futbollistët e mirë që kishte Shqipëria mblidheshin tek ekipet e kryeqytetit, Tirana, Dinamo, Partizani dhe pastaj Vllaznia. Tani është ndryshe, ka më shumë ekipe, ku investohet seriozisht dhe që marrin nga lojtarët më të mirë që janë në qarkullim. Ka edhe diçka tjetër, në atë kohë ishte e vështirë që një futbollist i mirë të transferohej në një kampionat të huaj më të mirë, kështu që për shumë kohë “ajka” e futbollit ishte këtu. Tani është shumë më e lehtë që një i ri me të ardhme të kalojë në kampionate të huaja të Europës. Pra, shitet më lehtë dhe kjo ndikon në rendimentin e skuadrës së tij, por edhe të kampionatit në tërësi. Po them që nga kampionati ynë ikin më të mirët shumë shpejt, kurse ata që blihen nga jashtë, shpesh vijnë nga kampionate më të dobëta dhe nuk i japin garës atë nivelin që pritet.

Çfarë parashikoni në derbin e së enjtes mes Dinamos dhe Tiranës?
Dinamo ka avantazhin e fitores 2-0 në ndeshjen e parë, kurse Tirana ka ato avantazhet që përmenda më lart. Derbet asnjëherë nuk mund të parashikohen, sepse motivimi bën të vetën. Zakonisht ekipet janë cinike në këto ndeshje, por shpresoj të luhet futboll i bukur dhe fitoren le ta meritojë skuadra që do të bëjë më mirën në fushë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"