Skandali, shkatërrohet parketi në Shkodër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2014 | 13:55

Skandali, shkatërrohet parketi në Shkodër

Qazim DervishiAshtu siç pritej, nuk ka zgjatur shumë një tjetër dëmtim i parketit të pallatit të sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës. Tashmë deformimi e fryrja nuk është vetëm në një pjesë të parketit, por pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij. Në qendër të fushës ku zhvillohen ndeshjet, parketi është fryrë si shkak i punimeve jo të mira dhe mungesës së kontrollit nga ata që e kanë për detyrë kur kanë qenë duke u kryer punimet. Tashmë lagështira si shkak i stinës së dimrit ka bërë punën e vet duke ndikuar drejtpërdrejt. Në fakt, më parë të gjithë e kishin parashikuar se do të vinte kjo situatë që parketi do të deformohej në momentin kur sasia e lagështirës të ishte më e madhe. Nuk zgjati shumë dhe tashmë parketi ka një tjetër dëmtim. Ishte “Panorama Sport”, që herën e parë në prag të ndeshjes se Ligës Ballkanike Vllaznia-Mornar dha alarmin e vuri në lëvizje institucionet. Herën e parë riparimi u krye me shpejtësi. Edhe kësaj here do të tentohet që të veprohet në të njëjtën mënyrë, por askush nuk jep siguri se nuk mund të ndodhë më. Gjatë ditës së djeshme skuadra e meshkujve në basketboll ka shkuar si zakonisht për të bërë stërvitje, por nuk kanë mundur të stërviten, sepse parketi gjendej i deformuar, duke qenë e pamundur që basketbollistët të stërviten. Tashmë, rrezikohet që ai investim i bërë në pallatin e sportit të paktën për parketin të shkojë dëm. Me shumë gjasa do të duhet që i gjithë ai parket të hiqet dhe të vendoset një tjetër me kushtet e duhura teknike e me parametrat e duhur profesionalë. Pavarësisht se është e disata herë që parketi deformohet, askush nuk merr përsipër përgjegjësitë, përkundrazi, mundohen të fajësojnë njëritjetrin. Basketbollisti i Vllaznisë, Nikolin Arra, e quan të padrejtë këtë që po ndodh dhe kërkon të merren masat e duhura e fajtorët të vihen përpara përgjegjësisë. “Është skandaloze. Është e dyta herë që ndodh. As sot nuk kemi mundur të stërvitemi, për shkak se parketi qenka dëmtuar. Në fakt, ne erdhëm për të bërë stërvitje, por u përballëm me një situatë të pakëndshme. Nuk e di se kush i merr përsipër përgjegjësitë. Na dënuan një herë për tabelën elektronike, tani rrezikojmë që të na dënojnë për të dytën herë. Të gjitha këto probleme patjetër që ndikojnë te ne, qoftë në anën psikologjike e po ashtu edhe në atë sportive. Duhet të merren masat e duhura, sepse kjo situatë nuk mund të vijojë në këtë mënyrë. Me këto mënyra jemi shumë larg Europës” – thotë Arra.
SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"