Skandali në Berat, 3 ekipe njëherësh në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2019 | 14:26

Skandali në Berat, 3 ekipe njëherësh në fushë

Ajo që po ndodh prej disa muajsh në Berat është gati e pabesueshme. Klubi ka katër ekipe dhe vuan pafundësisht problemin e infrastrukturës. Për mungesë të një fushe stërvitore ose, më mirë, për mosvënien në përdorim të fushës së stadiumit të vjetër, këto katër ekipe stërviten me turne në fushën e stadiumit kryesor.

Tomori gol

Konkretisht, dita e punës nis me stërvitjen e skuadrës së të rriturve, që zotëron fushën në çdo orë që dëshiron stafi teknik. Menjëherë pas saj në fushë zbresin tri ekipe njëherësh. Janë ekipet e moshave të Tomorit, U-15, U-17 dhe U-19, që e ndajnë fushën në tri pjesë dhe stërviten njëkohësisht, duke krijuar jo pak kaos. Është një punë plot sakrifica e trajnerëve të këtyre skuadrave në kushte aspak normale.

FUSHA E VJETËR – Pse vetëm një fushë? Sepse fusha e stadiumit të vjetër, me bar natyral, është jashtë funksionit. Për të është folur prej një periudhe të gjatë se do t’i ndryshohej destinacioni, por fakt është se ajo nuk përdoret. Për klubin beratas dhe bashkinë nuk do të ishte aspak problem, nëse do të bënte një investim në këtë fushë, ku ekipet e moshave mund të stërviteshin normalisht.

Për vite me radhë ekipet e sistemit zinxhir të Tomorit janë stërvitur në këtë fushë, pa pasur asnjë lloj kushti, si edhe tani. Në Berat e konsiderojnë skandal faktin që në një fushë stërviten tri skuadra në të njëjtën kohë, ndërsa drejtuesit e klubit heshtin dhe nuk kërkojnë zgjidhjen e problemit pranë bashkisë.

Tomori2

Të gjithë futbollistët e ekipeve të moshave janë nxënës shkollash dhe nuk mund të stërviten paradite, kështu që duhet të presin të përfundojë stërvitja e ekipit të parë që më pas të hyjnë në fushë, ku sigurisht që 1/3-a e saj nuk është e mjaftueshme.

Pasqyrë e këtij problemi serioz janë rezultatet në kampionat, ku me përjashtim të ekipit U-17, dy të tjerat renditen në fundin e tabelës. Për beratasit, që kanë shkollën e tyre të njohur të futbollit në vend, është e papranueshme që fusha të mos vihet në dispozicion. Justifikimet e drejtuesve për këtë rast janë të tepërta, ndërsa ky problem po “vret” të ardhmen e futbollit beratas.

Edi Spahiu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"