“S’ka asnjë alarm, gjetëm marrëveshjen me lojtarin”, presidenti i Luftëtarit: Ja pse dënimi do zhbëhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2020 | 12:21

“S’ka asnjë alarm, gjetëm marrëveshjen me lojtarin”, presidenti i Luftëtarit: Ja pse dënimi do zhbëhet

Presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, nuk është i shqetësuar pas vendimit të fundit të FIFAs. Ai sqaron se klubi ka gjetur marrëveshjen për detyrimin që ka pasur ndaj brazilianit Marko Aurelio dhe kësisoj merkatoja e bluzinjve do të jetë aktive, në bazë edhe të rregullave të FIFA-s, që parashikon heqjen e dënimit sapo bëhet pagesa.

 Presidenti i Luftetarit

“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Klubi ka qenë në dijeni të një çështjeje të vjetër në FIFA në periudhën kur Luftëtari drejtohej nga presidenca e kaluar. Dua të siguroj tifozët gjirokastritë dhe opinionin se kemi arritur një marrëveshje me futbollistin që klubi i ka pasur detyrime të pashlyera. Emrin nuk është nevoja që ta përmend, por kemi diskutuar dhe ky nuk është një vendim i sotëm (djeshëm).

Kemi qenë në negociata për ta zgjidhur në kohë problemin. Merkatoja e Luftëtarit do të jetë e hapur, prandaj dhe do të afrojmë lojtarët që ne dëshirojmë. Ky është fakt, sepse rregullorja e FIFA-s e përcakton qartë. Nuk kam ikur unë nga trutë që të afroj lojtarë. Vetëm sot (dje) kemi mbyllur marrëveshjen me dy të huaj. Atyre që mendojnë se Luftëtari u zhyt, do t’u ngrijë buzëqeshja shumë shpejt.

Bekim Halilaj Luftetari

Nëse nuk besoni për këtë që ju them, ju lutem pyesni në FSHF për procedurën, sepse ne e kemi arritur marrëveshjen me lojtarin dhe FIFA do të na japë akses për federime. Unë e di që ka shumë dashakeqës, por do të ndërhyjmë fuqishëm për të arritur synimet”, deklaroi Halilaj.

SITUATA – Presidenti bluzi sqaron edhe negociatat për rastin që detyroi FIFA-n të dënojë Luftëtarin. “Kemi 10 ditë që jemi në kontakt të vazhdueshëm me studion ligjore që përfaqëson lojtarin. Prisnim që të vinte vendimi i formës së prerë dhe arritëm marrëveshjen. Kam shkuar vetë në Qipro bashkë me avokatin dhe kemi takuar përfaqësuesin ligjor të lojtarit. Po mbyllet dokumentacioni që do t’i dërgohet FIFA-s, në mënyrë që të mos kemi probleme dhe sistemi i transferimeve të jetë i hapur për afrime. Presim vetëm letrën e konfirmimit nga përfaqësuesi i lojtarit dhe gjithçka është OK.

LUFT

Është e sigurt se ne mund të bëjmë transferime. Futbollisti ka hapur gjyq që para dy vitesh dhe ka pasur për të marrë dy rroga. Por, ai kishte pretendime për faktin se klubi nuk i kishte paguar biletat e avionit. Kërkonte të na merrte një shumë të madhe parash, por nuk është ashtu.

U gjet marrëveshja dhe sapo të dërgojmë letrën, automatikisht do të hapet sistemi i FIFA-s. Edhe drejtoria juridike në FSHF e ka të qartë situatën, kështu që nuk do të kemi asnjë problem. Ky është realiteti dhe atyre, që ndoshta po gëzojnë tashmë pas këtij lajmi, do t’u ngrijë buzëqeshja në buzë”, përfundoi kreu i klubit gjirokastrit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"