Sinan Idrizi “burgos” futbollistin e Flamurtarit: Kush e do, të vijë në na sjellë 1 milion dollarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2020 | 23:08

Sinan Idrizi “burgos” futbollistin e Flamurtarit: Kush e do, të vijë në na sjellë 1 milion dollarë

Sinan Idrizi është i vendosur të mos e lërë Arinaldo Rrapajn të shkojë te Partizani. Pas lajmit se talenti vlonjat ka çuar klubin në FSHF për të zgjidhur kontratën, ka ardhur edhe reagimi i administratorit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai thotë se mesfushori ka qenë i përkëdheluri i tyre dhe duhet të mos tregohet mosmirënjohës. Deklaron se kushdo që kërkon shërbimet e 19- vjeçarit, të trokasë në klub dhe të paguajë 1 milion dollarë.

Sinan-Idrizi

“Nuk ka shanse që Rrapaj të iki nga Flamurtari. Unë nuk e di kush e gënjen atë. Klubi nuk ka asnjë detyrim ndaj tij. Rrapaj duhet që të jetë mirënjohës ndaj klubit, por ai po shpif. Në vend që të tregojë mirënjohje, bën të kundërtën. Meqë na paska hedhur në gjyq, i them që deri në fund të dhjetorit është lojtar i Flamurtarit. Ai ka detyrime ndaj klubit, jo ne ndaj tij. Nuk ka shanse të ikë, e them këtë në mënyrë absolute.

rrapaj

Klubi i ka dhënë shumë hapësira atij si lojtar. Madje ka qenë më i përkëdheluri. Natyrisht që Arinaldo ka qenë djalë i mirë, por nuk dua që ta besoj kurrë që të jetë mosmirënjohës. Klubi ka qenë 100% korrekt me të. Nuk e lëmë të ikë. Kush e do, të vijë në na sjellë 1 milion dollarë. Kaq kushton kartoni i tij për shkak se është lojtar i madh dhe ka menaxher shumë të fortë ai”, shprehet fillimisht Idrizi.

BRAZILIANI – Sinan Idrizi ka një reagim edhe për brazilianin Lukas Ramos, që i është bashkuar Laçit dhe është larguar nga Flamurtari. Braziliani luajti edhe në një miqësore kundër Apolonisë, e megjithatë administratori shprehet i habitur për largimin e tij dhe i kujton se i skadon kontrata pas 1 viti e gjysmë:

“Po dëgjoj që Ramos paska shkuar te Laçi. Nuk e di, por më habit kjo gjë… Ai është lojtar i Flamurtarit, ka një kontratë me ne për një vit e gjysmë. Ata që duan shërbimet e tij, të vijnë e të trokasin në klub. Por, jo që ne nuk kemi lojtarë për të shitur. Ramos është lojtar i Flamurtarit”.

HOXHAJ – Administratori ka edhe një ngacmim për Ardit Hoxhajn, që do të vijojë karrierën e tij te Vllaznia. “Shkodra i ka bërë një superofertë Ardit Hoxhajt. Shumë mirë. Ka ikur të marrë sa më shumë lekë atje. Shpresojmë të kuptojë mirë shkodranët kur thonë ‘nadja e mirë’, kur është mëngjes”, u shpreh administratori.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"