Shtatë lojtarë të Partizanit dinë si fitohen trofetë, duhet të udhëheqin edhe… Kolelën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 24, 2023 | 18:49

Shtatë lojtarë të Partizanit dinë si fitohen trofetë, duhet të udhëheqin edhe… Kolelën

Për të shkuar te titulli kampion duhet të kesh eksperiencë dhe këtë element e injektojnë në skuadër lojtarët, që e kanë provuar shijen e të fituarit trofe. Partizani është një skuadër me moshë të re mesatare dhe kampionët në të shkuarën nuk janë të shumtë, por as nuk mungojnë.

partizani

Lojtari i të kuqve me më shumë trofe në karrierën e tij është Bruno Telushi. Mesfushori është shpallur kampion në Shqipëri dhe në Azerbajxhan dhe eksperienca e tij është aq e rëndësishme sa e Alban Hoxhës, i cili gjithashtu është mes lojtarëve të shpallur kampion të paktën një herë, teksa ka fituar edhe Superkupën me “demat”. Lojtari i dytë me më shumë trofe është Bekim Rexhepi, i cili pavarësisht se nuk ka pasur rol kryesor, ka fituar tre tituj kampion me Shkëndijën e Tetovës.

Engjëll Hoti dhe Remi Selmani janë gjithashtu dy futbollistë, që janë shpallur kampionë në të shkuarën. Kosovari është shpallur vitin e shkuar me Tiranën dhe e ka një kujtim të freskët strategjinë dhe rrugën që duhet ndjekur për të shkuar te titulli kampion. Të gjithë këta lojtarë, që kanë fituar më parë trofe, kanë misionin e veçantë për të udhëhequr pjesën tjetër brenda dhe jashtë fushës. Janë shtatë lojtarë në total, të cilët kanë fituar trofe në të shkuarën gjatë karrierës së tyre, teksa vetëm Hoxha dhe Telushi kanë festuar me “demat”.

partizani trofete (1)

Mes atyre që nuk kanë fituar asnjëherë më parë trofe është edhe trajneri Xhovani Kolela, për të cilin këtë fakt mund ta quajmë si një pikë të dobët. Gjithsesi, gjithnjë ekziston një herë e parë dhe në rast se ai do të arrijë të shpallet kampion me fanellën e kuqe, do ta regjistrojnë padyshimsi arritjen më të madhe në karrierën e tij.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"