Shqiptari i “çmendur” pas Bestit: Kërkova të shkoja në varrim, por ishin shitur të gjitha biletat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2017 | 22:59

Shqiptari i “çmendur” pas Bestit: Kërkova të shkoja në varrim, por ishin shitur të gjitha biletat

Ad Maha ishte gati të sh konte me tren dhe me traget në Irlandë për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Xhorxh Bestit, por vetëm koha e keqe e ndaloi të ndërmerrte një aventurë të tillë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai pranon se ka qenë tek e bija në Londër dhe u përpoq me të gjitha mënyrat që të merrte pjesë në nderimet e fundit të idhullit të tij, por ishte shumë vonë të shkonte me avion drejt Belfastit, pasi biletat ishin të gjitha të shitura. Maha tregon edhe se si lindi simpatia e madhe për irlandezoveriorin vetëm pasi shkëmbeu disa pasime topi mes baltës…

Adem Maha

Maha, si ndodhi takimi?

Ka qenë muaji nëntor. Kohë e keqe sepse e tillë ishte ajo javë, vetëm shi, ftohtë. Isha në rrethin e futbollit te Pallati i Pionierëve me trajner Osman Reçin dhe po luanim te fusha qendrore. Mesditë ka qenë… Luanim në baltë rreth orës 14:00, kur në një moment loje, topi del jashtë fushe dhe një burrë qëndronte në këmbë te shkallët, me duar në xhepa, e ndalon. Fillimisht sikur hezitoi të na i japë menjëherë. Ishte me tuta të bukura sporti, me flokë të gjata dhe po na vështronte.

Shkova dhe i kërkova topin. Ai nuk foli dhe vazhdoi për një çast ta mbante topin në këmbët e tij. Vrapova drejt tij dhe i kërkova në formë lutje të na i japë, por frenova për një moment ndërsa po vështronim njëri-tjetrin. Nuk e njihja, por e pashë që ishte i huaj. Ndalova, pata frikë… Por, vetëm për një çast sepse ai ma hodhi topin dhe unë ja ktheva në mënyrë instiktive duke bërë disa shkëmbime të shpejta topi më të. Pastaj unë iu riktheva lojës. Ai qëndroi disa minuta dhe u largua. Nuk e pashë më, por sapo u ktheva në shtëpi ia tregova babait të huajin që kisha parë te Pallati.

Si kishte mundur që Best të vinte aty?

Këtë fakt e kam marrë vesh pak më vonë. Duke qenë se skuadra kishte disa ditë që kishte ardhur dhe për mungesë avionësh qëndronin me ditë në Tiranë, madje më treguan se në njërën nga ditët e aventurës kryeqytetase futbollistët kishin shkuar edhe në Kinema Republika dhe gjatë filmit, ndërsa tavani pikonte, kishin hapur çadrat. Në rastin konkret ata ishin të sistemuar në hotel “Dajti”. Disa futbollistë dhe drejtues të Irlandës, midis tyre edhe Best, na kishte parë duke luajtur nga dritarja dhe ai, për të shtyrë kohën, kishte zbritur. Ishte pa çadër edhe binte një shi i imët. U afrua dhe na ndiqte nga afër ne fëmijëve duke luajtur, por që ne nuk e kishim vënë re.

Farmacisti i fiksuar pas Xhorxh Best

Çfarë ndodhi më pas?

Kam qenë në tribunën në qendrore të stadiumit pas dy ditësh, në përballjen Shqipëri-Irlandë dhe kur lojtarët dolën në nxehmje e pashë sërish. M’u kujtua dhe i thashë tim ati duke bërtitur: “Është ai, është ai… Ai me flokë të gjata është burri që kam takuar te Pallati i Pionierëve…”. Ai është Xhorxh Besti m’u përgjigj babai. Dhe realisht ai burri me tuta kishte qenë Xhorxh Besti, me të cilin kisha shkëmbyer topin atë mesditë te Pallati i Pionierëve. U mrekullova nga fati që kisha pasur si njeriu që kisha takuar Bestin, ndonëse isha vetëm 11 vjeç, ndërkohë që emri i tij sapo kishte filluar të shpërthente si një talent i madh.

“Beatles”, flokët e gjata, basetat… Këto i keni “dhuratë” nga Besti apo jo?

Me Bestin u “dashurova” në të gjithë format. Nga mënyra si luante, shumë spektakolar, por kryesisht në veshje, estetikë, paraqitje. Është i pari futbollist që ka imituar “Beatles” me flokët e gjata, basetat, tejet elegant dhe i veçantë për botën futbollistike të kohës. Finalen e zhvilluar në Londër për Kupën e Kampioneve, Mançester J.-Benfika 4-1, e kemi parë në televizor te Qemal Mandia bashkë me dajën tim. Mançesteri kishte një treshe të mrekullueshme: Xhorxh Best, Denis LLou dhe B. Çarlton.

Në shkollën e mesme, “Petro Nini”, drejtori Rodolf Paparisto çdo ditë më dërgonte për t’u qethur te berberi, por unë i shmangesha me justifikimet klasike të kohës. Po kështu edhe në fakultet me “Stilin Best” që ndiqja, shpeshherë grupet e rinisë agresive në ato vite më ndalonin “po na sjell modën amerikane”, “të pëlqejnë anglezët, italianët…!” dhe nën këto akuza e tension e kam kaluar rininë. “Beatles” më kanë pëlqyer dhe me muzikën e tyre kam vitet më pasionante të adoleshencës, edhe për faktin se Best konsiderohej si “I pesti” i tyre.

Xhorxh Best

Dhe vazhdoni ta imitoni edhe sot?

Nuk e imitoj, pasi më pëlqen të jem vetvetja, të jem Adi, por sigurisht që edhe sot basetat i mbaj ashtu si ai. Megjithëse vitet kalojnë, më bëjnë ta kujtoj atë. Nuk patëm fatin ta shikonim të luante në Itali në vitet e shkëlqimit. Nuk jam tifoz i Mançester Junajtid, me fanellën me numër 7, me të cilin ai u aktivizua për shumë vite, pasi që në vogëli jam një milanist, por edhe tifoz i Dinamos. Jam tifoz i Skënder Jarecit, i Përnaskës. Bestin e kam ndjekur edhe në vitet më pas, pasi ai la Anglinë e shkoi në Amerikë. Gjithashtu jetën private, me “love story”-it e njohura, problemet me alkoolin deri në çastet e fundit. Merrja gjithmonë informacion për Bestin e Madh.

Iu bë një funeral madhështor apo jo…?

Po, dhe unë isha në Londër te vajza, kur në nëntorin e vitit 2005, u dha lajmi për vdekjen e tij. Nxitova të gjeja një biletë, komunikova me shumë agjenci, por ishte e pamundur që në ato ditë të siguroje një biletë avioni për të asistuar në ceremoninë e varrimit të tij. Ceremonia u organizua më 2 dhjetor. Nga të gjitha kompanitë merrja të njëjtën përgjigje: “Sold out”! “Vende nuk ka, janë zënë nga persona që do të shkojnë në Belfast, në varrimin e Xhorxh Bestit”. Aty kam parë simpatinë, dashurinë që kishin të gjithë britanikët për të. Bashkë me ata edhe pjesa tjetër e Europës. Tentova të nisesha me tren për në Liverpul, pastaj me traget, por ishte një udhëtim i gjatë, koha ishte e keqe dhe deti i trazuar. Për këtë arsye, nuk munda të shkoja.

Nga UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"