Shpresat e mbijetesës, Lushnja me sytë nga “tredhëmbëshi” i frikshëm i sulmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2017 | 17:24

Shpresat e mbijetesës, Lushnja me sytë nga “tredhëmbëshi” i frikshëm i sulmit

Për edicionin e Superiores që do të startojë pas një muaji, Lushnja do të ketë në përbërje një “trio” sulmuese, tërësisht të shkollës verdhejeshile. Rinovimeve të Cankës dhe Sefës iu shtua dhe rikthimi në “Roza Haxhiu” pas shtatë vjetësh i Brunild Pepës. Tashmë, Lushnja do të ketë një treshe sulmuesish për t’u patur zili, që pritet t’u bëjnë shumë punë verdhejeshilëve në përpjekjet për mbijetesë.

Lushnja vs Lece

Mikel Canka

Sulmuesi 30-vjeçar Mikel Canka ka spikatur menjëherë në futbollin e moshave. Ka qenë trajneri Bano që e ka afruar në ekipin e parë. Ndeshja e tij e parë zyrtare në Superiore përkon më 28 janar 2006, Lushnja-Teuta 0-0, kur Canka ishte vetëm 19 vjeç. Pas disa sezoneve te Lushnja, provon Egnatian, Apoloninë dhe Luftëtarin.

Është golashënuesi më i mirë i Lushnjës në tre nga katër sezonet e fundit. Është lojtari që ka shënuar golat e fundit të Lushnjës në Superiore, 10 maj 2014, Lushnja-Partizani 2-4. Canka ka rezultuar lojtar-goli për verdhejeshilët dhe tifozët kanë mbështetur shumë shpresa tek ai.

Fatjon Sefa

Sulmuesi 33-vjeçar Fatjon Sefa është një tjetër produkt cilësor i “shkollës” verdhejeshile të futbollit. Ka qenë trajneri Kristaq Mile që e ka afruar në ekipin e parë. Ndeshja e tij e parë zyrtare në Superiore përkon më 10 maj 2003, ElbasaniLushnja 2-1, kur ishte 19 vjeç. Pas disa sezoneve te Lushnja, aktivizohet te Laçi dhe Shkumbini.

Rikthehet sërish në Lushnjë, por pas sezonit 2009-2010, shkon te Dinamo ku fiton titullin kampion, te Besa, te Skënderbeu ku fiton përsëri titullin kampion. Rikthehet përsëri në Lushnjë, ku në sezonin e kaluar jep një ndihmesë të jashtëzakonshme duke u shndërruar në njeriun e Superiores për skuadrën verdhejeshile. Pa dyshim që ka qenë lojtari më i mirë i Lushnjës në edicionin e kaluar, siç pritet të jetë edhe në sezonin që po vjen.

Brunild Pepa

Ka qenë firma surprizë e lushnjarëve ajo e Brunild Pepës. Rikthehet në “Roza Haxhiu” pas shtatë sezonesh. Ka qenë trajneri Artan Bano që e ka afruar tek ekipi i parë pa mbushur 19 vjeç. Ka debutuar më 26 shtator 2009, Lushnja-Pogradeci 1-1 dhe ka shënuar në debutim.

Ka lëvizur menjëherë nga Lushnja duke luajtur në dy periudha të ndryshme me Teutën, Flamurtarin, Bylisin dhe Vllazninë. Nga sulmuesi 27-vjeçar tifozët e Lushnjës presin shumë. Bëhet fjalë për një sulmues që tifozët e kanë mbështetur që në moshën 16-vjeçare kur luante për ekipet e moshave.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"