“Ahmataj kërkoi lekë nga ne dhe nga Tirana”, shpërthen presidenti Halilaj: DHZK e korruptuar, ju tregoj skandalin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2020 | 0:03

“Ahmataj kërkoi lekë nga ne dhe nga Tirana”, shpërthen presidenti Halilaj: DHZK e korruptuar, ju tregoj skandalin

Presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, e cilëson Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF si një organ të korruptuar. Kreu i klubit gjirokastrit lëshoi akuza të forta duke iu referuar eksperiencës së fundit me disa gjyqe të humbura me lojtarët që kanë qenë pjesë e Luftëtarit. 

bekim halilaj

I ftuar në emisionin “Pressing” në televizionin “ABC News”, ai foli edhe për shumë çështje që kanë krijuar probleme te Luftëtari, ndërsa sqaroi edhe borxhet apo largimet e trajnerëve.

DËNIMI NGA ARBITRAT 

“Po të donim të hapnim portat, e bënim dhe i përgjigjeshim me të njëjtën monedhë arbitrimit, Sektorit të Gjykimit, Garave, e Zgjidhjes së Konflikteve dhe të prishnim garën. Por, sa të jem president, nuk do të ndodhë kjo. Gjithsesi, të mos na detyrojnë që ta bëjmë këtë. Janë dënuar 7 arbitra për Luftëtarin. Nëse unë do të kisha marrë këto pikë, ku do të isha sot? Gara është cenuar, edhe pse flitet pak. Kemi probleme që nuk i fshehim, por servil nuk i bëhem askujt. Sektori i Arbitrimit është faktor vendimtar. Disenjatori të ketë kujdes, se kur humb pikët, mua s’më intereson nëse dënohet arbitri. Le të ngrenë komision dhe të nxjerrin bilancin e pikëve që na kanë hequr.

Nuk them më fal, por të mbyturin mos e mbyt. Kampionati na nis më 24 gusht dhe direkt bëhen 3 ndeshje që në fillim. Skuadrat janë të papërgatitura, përveç 3-4 ekipeve që janë në Kupat e Europës. Ka pasur raste që të mërkurën luajmë e na thotë do të luani të shtunën. Të flasësh me drejtorin e Sektorit të Garave është e pamundur. Kam folur me kryeministra dhe presidentë Republike, por ai nuk e ngre telefonin. Pastaj më thonë pyet ‘SuperSport’, e ç’lidhje kam unë? Ai më thotë kemi program me Serinë A, por ç’më duhet mua kjo? Kur luajtëm në fazën e parë me Kukësin në fushën asnjanëse të Lushnjës, arbitri Kola na mohoi gol të rregullt, nuk na dha një penallti, si dhe nga ana tjetër, kundërshtari shënoi pas një faulli të paqenë.

Ndoshta Kukësi mund të na rrahë edhe në 12 të natës, por ja që në ndeshjen e fundit që bëmë në Gjirokastër, nuk na mundi dot. Pastaj me Laçin na jep gol në të 94-ën në shtesë dhe u dënua Luftëtari. Me Bylisin estradë, delegati nuk lejon ndërrimin e lojtarit se nuk punon tabela dhe pastaj jep shtesën me gojë. Nuk dua të merrem me gjyqtarë, nuk është problemi im të kontaktoj me ta, por drejtuesit e kanë pranuar gabimin. Por fjala ‘më fal’, pas vrasjes mua nuk më intereson. Këtë javë luajmë me Flamurtarin, më mirë ta bëjmë pa arbitër fare”, thotë me batutë Halilaj.

Bekim Halilaj Luftetari

I pyetur për rrezikun që mund të ketë pastërtia e garës nëse Luftëtari matematikisht bie nga Superiorja, ai siguroi: “Klubet do gjejnë autobus në portë, s’ka shans të tolerohet sa të jem president unë. Nuk bëhem vegël, nuk ka mundësi të ma blejë rezultatin. I shoh të gjithë njësoj, pastaj nëse vjen arbitri ta vendosë, nuk do të bëj vetëgjyqësi. Ne garën po e mbajmë, jo dikush tjetër. E kemi treguar me çdo ekip, vetëm me Tiranën dhe Partizanin s’kemi marrë pikë. Unë jam rritur në Durrës dhe e kam mik presidentin e Teutës, por kjo nuk do të thotë se ekipi toleroi, pasi morëm pikë në atë fushë”.

MARRIN RYSHFET PËR GJYQET 

“Shkojmë te Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve, është ‘KÇK’. A keni dëgjuar të bëhet gjyq të shtunën? Është bërë se kishte urdhër, që ai lojtari (i referohet Rapos) të ishte në stërvitje pasdite. Një përmbarues nuk mund të jetë gjykatës, as një jurist i CEZ. Por a e dini që është pa të drejtë apelimi?

I ngrihet mendja dhe e thotë shko në UEFA. Mua më prishet kontrata, e të shkoj në UEFA bën 10-12 mijë franga. Më mirë i paguaj lojtarit. Ai mblidhet e thotë nuk i njoh gjobat. Ka korrupsion atje, më vjen lojtari thotë që më jepni lekët se do e zgjidh me të. Marrin ryshfet, po. Kur të duan të hapin gjyq. Nuk ke si e zgjidh kontratën për një rrogë borxh, si e zgjidh, si ndodhi me lojtarin që bënte stërvitje. Bëra ankimim dhe nuk mora përgjigje”.

MBI 500 MIJË EURO BORXHE 

“Nuk mund të hedh poshtë atë punë që ka bërë presidenti në të kaluarën, se e mori dhe e mbajti 4 vite duke e çuar në Europë. Ka gabuar stafi administrativ i klubit. Unë më përpara kam ndihmuar, kam dhënë kontributin tim me 25%. Problemi është që pasi e mora unë, ka borxh të jashtëm një shifër marramendëse, mbi 500 mijë euro, janë të trashëguara. Unë nuk kam marrë 1 lek nga fondi publik, apo t’i kem krijuar borxh. Por ky është abuzim me detyrën, se nuk mund të pranoj që për një biletë avioni të na kushtojë 74 mijë euro.

Kukesi-Luftetari 0-0

I kishin premtuar që do i pritnin biletën, e për këtë u bllokua merkatoja. Kemi problem me një klub në Uruguai se federuam lojtarin 4 ditë pas 23-vjetorit. Tani duhet kompensim 222 mijë euro. Për një klub në Greqi, nuk ka ardhur asnjë ditë lojtari, 65 mijë euro detyrim ia ka njohur klubi.

Është naivitet, ai personi më përpara ka fshirë materialet nga interneti, kujton se duke i hequr nga kompjuteri, nuk e merrte vesh kush. Një portier shqiptar erdhi një natë në Gjirokastër, u dëmtua e iku, ka qenë një pagesë 7600 dollarë. Janë 36 vendime, disa të fshehura, më shumë se 500 mijë euro. Unë nuk do paguaj as 500 mijë as 800 mijë, do t’i negocioj por do t’i shlyej”.

 DOSJA “UEFA” DHE DY ISH-TRAJNERËT 

“Ndeshja me Ventspils? Po t’i referohesh shkresës që ka ardhur nga UEFA, ata kanë pasur hetim dhe asnjëherë nuk ka vendim, na kanë ngrirë fondin në mënyrë të padrejtë si të vegjël. Na është premtuar se shumë shpejt ai fond do të jetë në favor të ekipit. 240 mijë euro janë të ekipit. Mes borxheve kam një të mirë që gjej, përfitoj këto lekë nga UEFA, si dhe kam të trashëguar nga presidenti i parë një ekip me të rinj të talentuar që do të vazhdojmë punën. Sa u përket trajnerëve, Hasan Likën e kam dërguar unë në Gjirokastër, siç kam çuar edhe Ahmatajn.

E vërteta me Likën është një dhe e vetme. I mbaroi kontrata më 31 maj 2018. Kemi negociuar dhe nuk i është përsëritur kontrata. Mosvazhdimi i kontratës është opsion ligjor. Në çdo media përmendet që kemi përzënë Likën. Nuk është e vërtetë, kemi negociuar dhe nuk është rinovuar kontrata. Kjo është e gjitha. Ndoshta Hasani kërkoi të tjera kushte, por unë e pranoj që i kemi hyrë në hak. Largimi i Ahmatajt? Ka pasur marrëveshje personale me mua, xhentelmenësh. Në kontratën e tij është bërë një lapsus, ku parashikohej rinovim automatik. E çova në Gjirokastër dhe e pezulluam për një gjë shumë të drejtë. Eliminimi nga Tirana në gjysmëfinalen e Kupës nuk ishte fundi i botës, por rezultati ishte për të vënë duart në kokë. Ishim paralajmëruar me kohë që Tirana do fitonte ndeshjen me ne dhe u dyshua që u tolerua.

Nuk kam fakte që të them u tolerua. E kemi pezulluar dhe më pas e kemi thirrur pas pezullimit. Na ka paraqitur një raport sikur ishte i sëmurë. Më pas e thirrëm hajde të vazhdojë kontratën meqë i ishte rinovuar automatikisht. Mirëpo, e prishi kontratën dhe një ditë të bukur na çoi në gjyq.

luftetar

Kërkonte komplet vitin e kontratës me ne dhe komplet vitin e kontratës që kishte bërë te Tirana. Tani nuk mund të ndodhë kështu, sepse i bie që ka bërë gabim në kontratën që ka firmosur me Tiranën, në një kohë që ishte me ne brenda marrëveshjes. Madje i kam thënë, ndodhi çfarë ndodhi, hajde nis punën. Mirëpo, nuk mund të shkojë ai të hapë gjyq vazhdimin e kontratës me Luftëtarin dhe në të njëjtën kohë të kontratës me Tiranën. Kjo është absurde. Gjithsesi, çështja e Ahmatajt është zgjidhur nga klubi ynë”, përfundoi presidenti i Luftëtarit.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"