Shpërblimi i qeverisë, 100 milionë lekë për kampionin shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2014 | 23:53

Shpërblimi i qeverisë, 100 milionë lekë për kampionin shqiptar

rama me QerimajnDaniel Godelli do të përfitojë 100 milionë lekë shpërblim nga qeveria shqiptare për faktin se doli Kampion i Botës. Shifra e mësipërme është vendosur që më parë nga vendi ynë për çmime prestigjioze të këtij tipi. Kësisoj, klasifikimet në renditjen individuale dhe shpërblimet të vendosura nga vendi ynë janë për në kampionat botëror. Vendi i parë përfiton 100 milionë lekë, vendi i dytë, 60 milionë lekë, vendi i tretë 40 milionë lekë, vendi i katërt 20 milionë lekë dhe i pesti, 10 milionë lekë. Sa u përket shpërblimeve në peshëngritje, por në një kampionat europian, vendi i parë përfiton 40 milionë lekë, i dyti 20 milionë dhe i tretë 10 milionë. Kur një peshëngritës vendos rekord olimpik, nga shteti shqiptar përfiton 150 milionë lekë. E njëjta shifër është edhe kur vendos një rekord botëror. Ndërsa për një rekord europian kjo shifër shkon te 80 milionë lekë. Në garën e djeshme, Godelli “flirtoi” edhe me mundësinë për të fituar edhe 150 milionë lekë të tjera, pasi tentoi që të vendoste rekord të ri botëror. Ai provoi të ngrinte peshën 210 kilogramë, rezultati më i mirë, i arritur nga ukrainasi Oleg Perepetçenov më 27 prill të vitit 2001. Gjithsesi, nuk ia doli mbanë. Në fakt, shpërblimi zyrtar që do të marrë peshëngritësi kuqezi është rekord për këtë sport, ndonëse në të shkuarën ka pasur edhe dhurata të majme nga qeveria, në rastet e paraqitjeve dinjitoze. Por, duhet theksuar gjithashtu se në vitet e fundit, Godelli ka qenë një prej atyre që ka protestuar për faktin se nuk ka marrë shpërblimet që i takonin, duke iu zvarritur pagesat për një kohë të gjatë. Gjithsesi, këtë herë duket e vështirë që të ndodhë e njëjta “sëmundje”, duke ditur që bëhet fjalë për një 22-vjeçar që ka realizuar diçka që s’kishte ndodhur asnjëherë më parë: doli kampion i botës…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"