Shifrat flasin për ekipin verilindor / Skuadra funksionon, Stavri Nica si doktor për Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 13:00

Shifrat flasin për ekipin verilindor / Skuadra funksionon, Stavri Nica si doktor për Kukësin

Kukësi duket tërësisht i rilindur nga ajo nisje shumë e dobët e kampionatit, ku koleksionoi katër humbje radhazi në start. Ulja në pankinë e Stavri Nicës ka nisur t’i japë frytet e veta dhe tani verilindorët nuk janë më në vendin e fundit kur është mbyllur një fazë e plotë.

kukesi stavri nica

Ndonëse janë ende në zonën e rrezikut, paraqitjet e javëve të fundit japin shpresë se skuadra do të vijojë ngjitjen edhe më tej. Fitorja e fundit ndaj Laçit tregoi se humbja ndaj Partizanit një javë më parë ishte një aksident dhe se Kukësi vërtet ka nisur të bëjë kthesën, jo vetëm në rezultate, por edhe në lojë.

ECURIA – Katër javët e parë të këtij sezoni, duket se nuk kanë lidhje me Kukësin. Kampionati i vërtetë i bluve ka nisur fill pas asaj fitoreje me Skënderbeun në javën e pestë, ku edhe u morën pikët e para.

Sipas një vëzhgimi të bërë nga gazeta, në pesë javët e fundit, Kukësi ka koleksionuar 10 pikë dhe rezulton se është ndër ekipet që po kalon formën më të mirë dhe është një ritëm i një skuadre që lufton për… titull.

Thuhet kështu, pasi në pesë javët e fundit, vetëm dy kryesuesit, Egnatia dhe Partizani, kanë bërë më mirë, të cilat kanë marrë nga 12 pikë, dy më shumë sesa verilindorët.

Të gjitha skuadrat e tjera janë poshtë tyre dhe në klub ky shihet si një sinjal që ekipi po funksionon dhe që mund të bëjnë akoma më mirë edhe në vijim. Gjithsesi, bëhet fjalë vetëm për shenja të mira që po jep ekipi, sepse nëse nuk vijohet me këtë ecuri, atëherë sërish situata mund të vështirësohet edhe më tej dhe klubi të zbresë në fund.

MBROJTJA – Duket se më në fund janë gjetur edhe ekuilibrat në mbrojtje, edhe pse në ndeshje të caktuara ndodh që të jenë në një ditë të errët.

Bëhet fjalë për sfidën me Partizanin, ku u pësuan plot katër gola. Mirëpo, në takimet e tjera ekipi ka treguar stabilitet, ku mjafton të thuhet se në tri takime nga pesë nuk ka pësuar asnjë gol, diçka që nuk mendohej më herët në startin e këtij sezoni.

Të dhëna që flasin për një skuadër që ka bërë kthesën në të gjitha aspektet, por që normalisht pritet të shihet në vazhdim se si do të ecë, me kampionatin që sa vjen edhe bëhet më i vështirë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"