Sfidojnë Skocinë, Sauthgejt: Do të luajmë edhe topin e gjatë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2021 | 16:28

Sfidojnë Skocinë, Sauthgejt: Do të luajmë edhe topin e gjatë

Garet Sauthgejt këmbëngul se Anglia e tij nuk ka luksin për të qenë snobe në kërkim të trofeut të tyre të parë Europian, ndërsa i ka dhënë leje skuadrës së tij që të luajë edhe futbollin e saj tradicional direkt në momente të caktuara të ndeshjes. Sa kohë trajneri i “Tre Luanëve” është në stolin e përfaqësueses, Anglia ka prodhuar një lojë me shumë cilësi dhe fantazi, fryt i talentit dhe teknikës me bollëk që ka në skuadër. Por, ai pranon se skuadra e tij nuk do të ketë drojë t’i rikthehet edhe lojës tradicionale, me topin e gjatë, nëse do ta lipsë situata.

sauthgejt 1

“Ka momente ku do të duhet të luajmë me topin e gjatë. Ne kemi një qendërsulmues (Herri Kejn), i cili fiton më shumë në këtë mënyrë sesa thjesht duke qarkulluar topin. Ne nuk duhet të jemi snobë futbolli. Është bukur të luash duke ndërtuar nga mbrojtja dhe të kalosh rrethin e gjysmës së fushës duke kontrolluar topin. Megjithatë, është po aq efikase për ta kërkuar direkt qendërsulmuesin, të jesh në kontroll të topit dhe të jesh i aftë të luash prej atje.

Variacioni është shumë i rëndësishëm kundër skuadrave të forta”, tha tekniku i ishullorëve. Sauthgejt u ndal të komentonte edhe një debat në fushë mes mbrojtësit Xhon Stons dhe portierit Xhordan Pikford gjatë ndeshjes me Kroacinë, në lidhje me vendimin e numrit 1 për të lëshuar një top të gjatë.

“Unë mendoj se ata ishin thjesht duke vendosur për atë që duhet të bënin. Varet nga mënyra se si ushtron presing kundërshtari dhe do të ketë momente kur duhet të synosh topin e gjatë. Ne nuk kemi shumë kohë për të punuar me modelet e topit të gjatë sa ndodh në një klub.

Prandaj, këta djem janë në gjendje që t’i marrin vetë vendimet. Kishte një moment gjatë ndeshjes me Kroacinë kur ne luajtëm topin e gjatë dhe folëm për këtë në pushim të pjesës së parë. Por, ne nuk donim që ta bënim këtë gjatë gjithë kohës”, sqaroi tekniku anglez.

“Tre Luanët” e fituan ndeshjen e tyre të parë të turneut kundër kroatëve 1-0 falë golit të Rahim Sterlingut në pjesën e dytë. Takimi i tyre i ardhshëm do të jetë derbi me Skocinë, të premten në “Wembley” ora 21:00. Ndërkohë që sfida tjetër e Grupit D do të jetë ajo mes Kroacisë dhe Republikës Çeke. Modriç me shokë do të kërkojnë fitoren e parë në grup përballë Çekëve, të cilët të udhëhequr nga Shik befasuan Skocinë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"