Sfida ndaj vlonjatëve, sulmuesi i Luftëtarit: Mundim Flamurtarin dhe kthehemi pretendentë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 12:12

Sfida ndaj vlonjatëve, sulmuesi i Luftëtarit: Mundim Flamurtarin dhe kthehemi pretendentë

E diela rikthen Luftëtari-Flamurtari. Skuadrat që kanë bërë histori në elitë, këtë herë do të luajnë për llogari të Kategorisë së Dytë.

Luftetari Permeti2

Nëse vlonjatët janë në rrugën e duhur me rezultatet, të njëjtën nuk mund të themi për gjirokastritët. Kanë mungesë pikësh dhe larg ngjitjes, e megjithatë asgjë nuk ka mbaruar. Këtë e thotë edhe sulmuesi Shefqet Boni, protagonist në fitoren e fundit në Patos.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 25-vjeçari rrëfen se rrjeta e tij nuk ishte rastësi, por e gatuar me shumë zgjuarsi prej ekipit.

“U ndjeva mirë që shënova dhe i dhashë fitoren Luftëtarit. Luanim me Albpetrolin në transfertë dhe vështirësia dihet, por në fund ne ia dolëm.

Ai gol që unë e dërgova në rrjetë, nuk ishte edhe aq spontan. Ishte i ndërtuar me maturi dhe zgjuarsi, pas veprimeve e kombinimeve perfekte të ekipit tonë. I dhurova tri pikët e para Luftëtarit në transfertë dhe kjo më motivon për të dhënë më shumë për javën e 9-të.

Në radhë kemi Flamurtarin, që presim në stadiumin ‘Gjirokastra’. Kundërshtari është një ndër emblemat e futbollit shqiptar, por as ne nuk mbetemi pas. Në fund të fundit, jemi Luftëtari. I vetmi objektiv mbetet fitorja. Tri pikët na rikthejnë pretendent”, përfundoi Boni.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"