Sfida ndaj Tomorit, trajneri i Tërbunit pret vetëm fitoren: Boll me barazime, t’u kthejmë buzëqeshjen tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2022 | 10:57

Sfida ndaj Tomorit, trajneri i Tërbunit pret vetëm fitoren: Boll me barazime, t’u kthejmë buzëqeshjen tifozëve

Tërbuni të premten ka mbyllur seancat stërvitore në kryeqytet dhe është nisur drejt Pukës, atje ku sot do të presin Tomorin.

alert alcani

Ky takim pritet me interes nga drejtuesit dhe tifozët, pasi kërkohet kthesa e madhe. Pukjanët vijnë pas dy barazimeve radhazi dhe tashmë duan që të festojnë. Alert Alcani nuk e fsheh, pret maksimumin e pikëve nga kjo përballje.

E ka të qartë që nuk do të jetë e lehtë. E megjithatë, për “Panorama Sport” deklaron se skuadra e tij do të tentojë vetëm e vetëm fitoren.

“Tomori është një ekip që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, vjen nga një fitore, ndaj ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë takim.

Lojtarët janë të vetëdijshëm që duhet të bëjnë kujdes sepse përballë do të kenë një ekip që nuk thyhet lehtë.

Kundërshtari vjen më i çliruar psikologjikisht pas asaj fitoreje të një jave më parë dhe synon të mos dalë pa gjë nga fusha jonë.

Me përgatitjen e bërë gjatë gjithë javës, besoj se kemi gjendjen për t’ia dalë me sukses. Optimizmi nuk mungon, ndaj do të hyjnë në fushën e lojës me synimin e vetëm: për të marrë tri pikët.

Në formacion, nesër (sot) do të fus ata futbollistë që janë më të gatshëm ta çojnë ekipin te fitorja. Ka ardhur koha t’u kthejmë buzëqeshjen tifozëve.

Një sezon më parë, skuadrat janë ndarë me barazim. Deri më tani nuk kemi shkuar më larg se barazimi, por boll më. Duhet të kemi kujdes, sepse barazimet dhe humbjet nuk na çojnë aty ku ne duam.

Unë besoj te ky grup që kemi ndërtuar. Jemi munduar të bëjmë blerje sa më cilësore, kryesisht në sulm.

Ka ardhur koha që edhe ata të finalizojnë, por dhe mbrojtja duhet të bëjë shumë kujdes. Do të japim gjithçka në fushë për të arritur rezultatin që duam”, përfundoi numri një i pankinës pukjane.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"