Sfida Kastrioti-Laçi/ Ndreu në ankth për dy lojtarë, Noka i ka gati ndryshimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2021 | 9:54

Sfida Kastrioti-Laçi/ Ndreu në ankth për dy lojtarë, Noka i ka gati ndryshimet

Kastriotin e pret sot në orën 13:45 një ndeshje e vështirë kundër Laçit në stadiumin e Kamzës. Të besuarit e Ramazan Ndreut do të tentojnë të marrin suksesin e radhës përballë një kundërshtari të fortë, ndonëse rezultatet e fundit nuk i ka pasur të mira. Ndreu, në daljen përpara mediave e ka cilësuar si një sfidë tejet të vështirë dhe ka besim se të tijtë nëse do të japin maksimumin do ta nxjerrin ne sukses këtë ndeshje.

ndreu 1

“Kemi përpara një skuadër që është jashtëzakonisht e mirë, një kundërshtar që është ndërtuar për të kapur majat e klasifikimit, ndaj nga ana jonë do të marrë vlerësimin maksimal. Nëse skuadra e vlerëson Laçin ashtu siç e meriton, besoj se do e fitojmë ndeshjen. Ne kemi nevojë shumë për pikë në këtë gjendje që jemi. Fitorja me Skënderbeun na dha pak moral, por gjithsesi është pak, sepse janë zhvilluar 5 ndeshje. Shpresoj që do ta vazhdojmë këtë ecuri të mirë, gjithmonë nëse do të impenjohemi maksimalisht dhe do të zbatojmë mirë detyrat ndaj Laçit”, ka thënë fillimisht Ndreu.

SITUATA – I pyetur nëse ka shqetësime përpara kësaj përballjeje, trajneri krutan u shpreh: “Ndoshta nuk jemi njëskuadër me 20 lojtarë shumë të mirë, por gjithsesi i kemi 14- 15 lojtarë që kanë cilësi. Gjithsesi, edhe ata që janë në dilemë janë shumë të rëndësishëm, sidomos Huseini, që është një lojtar që na jep atë grintën, pasi vrapon shumë. Nëse ai na mungon nuk do tëjetë mirë për ne, por edhe Basha, që është paraqitur mirë dhe është një cilësi më shumë për ne, ka pasur shqetësime gjatë javës.

Nëse nuk do të jetë i gatshëm do të na prishë shumë punë”. Në fund, Ndreu preku edhe faktin që Kastrioti ka qenë si një “mace e zezë” për Laçin në sezonet e fundit. “Ka një element që na favorizon në përgjithësi, pasi është ndeshje derbi dhe luftohet shumë. Fati, ndoshta, edhe ka qenë me ne, pasi ndeshjet i kemi bërë shumë të mira. Kanë qenë ndeshje të luftuara në të gjitha drejtimet”, përfundoi trajneri.

fr

Laçi, Noka ka gati ndryshimet

Sero Noka debuton në stolin e Laçit në ndeshjen derbi ndaj Kastriotit. Trajneri që ka qenë ndihmës i Shpëtim Duros deri pak muaj më parë, bashkë me zv.trajnerin Klevis Hima, kanë besimin e presidentit Pashk Laska për të udhëhequr kurbinasit drejt rikthimit te rezultatet pozitive.

Në seancat stërvitore të kësaj jave, të cilat janë zhvilluar në aneksin e stadiumit të Laçit, skuadra ka paraqitur një gjendje të mirë fizike. Noka ka punuar më tepër me anën taktike duke bërë disa ndryshime në repartin e mbrojtjes dhe sulmit. Megjithatë, ai ende ka disa dilema, veçanërisht për sulmin, ku golashënuesi më i mirë, Zarubica, ka probleme fizike dhe nuk dihet nëse do të aktivizohet.

BUJAR BALLIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"